Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur seancën e jashtëzakonshme ku u debatua lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, raporton Ekonomia Online.
Në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk ka votuar rezolutën me dy pikat e saj: Qeveria duhet të ndalë menjëherë praktikën e ndarjes së mjeteve pa kritere financiare; Ka afat një javë të sjellë në kuvend raportin për procedurat dhe mënyrën e shpenzimeve të mjeteve për shënimin e vjetorit të pavarësisë 2018-2019 dhe shënimin e 550 vjetorit të Skënderbeut.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka kritikuar mazhorancën. Sipas tij, në ditën e Epopesë nuk folën për vjedhjet e në Kosovë, e datën kur u vra Adem Jashri, u fol për delegacionin.
“Qysh nuk po ju vjen turp… më 5 mars kur ka filluar Epopeja, s’keni dashtë me fol për vjedhjet në Kosovë. Po kur është vra Adem Jashari ju keni fol për delegacion. Jeni tu i lëkundë eshtrat e tyre”, tha Selmanaj.
Ai tha se partitë në pushtet nuk po përgjigjen për mënyrën e shpenzimeve, sipas tij, nuk ka opozita zgjidhje tjetër për këto diskutime.
“Sa i përket partive në pushtet Nuk kishte argumente. Në aspekt procedural na thanë pse e keni pru në seancë. Unë po e them edhe një herë i kemi thirr në komision, nuk kanë ardhur. I kemi thirr tri ministri për me na tregu për mënyrën e shpenzimeve të granteve e subvencioneve, nuk vijnë kurrë. Kur ju po na ngushtoni hapësirën nuk kemi tjetër zgjidhje”, u shpreh Selmanaj, raporton EO.
Sipas Selmanajt, fëmijëve në Zubin Potok u ndanë dhurata, por jo edhe atyre të Prekazit, Gllogjanit.
“Për vitin e Ri janë nda para për dhurata për fëmijë në Zubin Potok e pse jo fëmijëve të Prekazit, pse jo të Gllogjanit. Ndoshta jemi nën shërbim të dikujt tjetër. Kjo del përtej logjikës”, tha Selmanaj.