Kuvendi vazhdon programin “Punëtoritë e Demokracisë”

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 13:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka katër javë që është duke e zhvilluar Programin “Punëtoritë e Demokracisë”, i cili ka për qëllim të afrojë nxënësit me Kuvendin dhe njëkohësisht të rrisë vetëdijen e nxënësve për demokracinë dhe rolin e tyre në këtë sistem të qeverisjes, raporton EkonomiaOnline.

22 nxënës të shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi“ nga fshati Llukar i Prishtinës, të cilët të cilët ndoqën këtë punëtori, mësuan edhe për rolin e medieve dhe funksionimin e tyre.

Nxënësit e klasës së shtatë, të ndarë në katër grupe dhe nën kujdesin e edukatorëve, mësuan gjëra të reja, ndërsa në fund prezantuan atë çfarë mësuan në punëtori.

Nxënësja Arta Makovci tha se grupi i saj mësoi se çfarë është demokracia.

“Sot kemi ardhur në Kuvendin e Kosovës për vizitë dhe kemi mësuar gjëra të reja. Një prej temave ishte ajo për demokracinë”, tha ajo, duke shtuar se kjo ligjëratë i ka ndihmuar shumë dhe ka mësuar diçka që nuk e ka ditur më parë.

Nga grupi i dytë, prezantimin e bëri Aid Krasniqi, i cili tha se përveç demokracisë, mësuan edhe për zgjedhjet.

“Ne klasa e shtatë kemi ardhur sot në Kuvend dhe kemi kaluar shumë mirë. Kemi mësuar për zgjedhjet, për demokracinë. Kemi mësuar që kemi dy lloj zgjedhjesh, lokale dhe qendrore”, tregoi ai.

Për dallim në dy grupet e para, i treti mësoi për mediet dhe funksionimin e tyre. E prezantimin nga ky grup e bëri nxënësja Fleta Berisha.

“Kemi mësuar për tema të ndryshme. Njëra nga to ishte për mediet. Kemi mësuar që ato kanë një rol të rëndësishëm dhe konsiderohen si shtylla e katërt e pushtetit. Mediet kanë disa funksione, psh. kritik, informues, argëtues”, u shpreh ajo.

Grupi i katërt i kësaj punëtorie mësoi më shumë për jetën në qeverisje dhe qytetarinë aktive.

Xheneta Makovci, përfaqësuese e këtij grupi, tha se përveç kësaj mësuan se të gjithë qytetarët kanë edhe të drejtën e tyre për votim.

“Kemi ardhur të marrim më shumë njohuri për jetën në qeverisje, për qytetarinë aktive, për qytetarinë me obligime, me përgjegjësi. Gjithashtu edhe për të drejtat e një qytetari. Më ka bërë përshtypje, qytetaria aktive dhe më ka pëlqyer obligimi i qytetarëve, sepse ka qytetarë që i respektojnë ligjet dhe ka të atillë që nuk i respektojnë. Një obligim tjetër i qytetarëve është e drejta për votim mbi moshën 18-vjecare”, tha ajo, duke shtuar kur t’i bëjë 18 vjet, gjithmonë do të shfrytëzojë të drejtën e saj për votim”, tha ajo.

Të ngjashme