Kuvendi vazhdon seancën, ministri Stavileci në interpelancë

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 09:11 | Nga

Kuvendi i Kosovës vazhdon sot punimet e seancës së djeshme si dhe me pas mban seancën e re plenare në të  cilën pritet të mbahet interpelanca e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet Propozim – Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Më pas, pritet interpelanca e ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike.

Seanca do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, si dhe zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Më pas, deputetët do të debatojnë në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9 deputet tjerë nënshkrues.

Në fund, do të zhvillohet edhe një debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevaire Izmaku, të mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme