Është pikërisht opozita në shtetin e Turqisë që ka thurur lëvdata për aksionin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë.
Lideri i partisë opozitë, Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahceli, ka lavdëruar operacionin e Agjencisë së Inteligjencës turke (MIT) në Kosovë që ka rezultuar me arrestimin e gjashtë turqve të dyshuar si pjesëtarë të Lëvizjes së Fetullah Gulen (FETO), e cila cilësohet si organizatë terroriste.
Në bashkëpunim me AKI-në, MIT ka arrestuar gjashtë meshkuj, të cilët Turqia thotë se janë përgjegjës për largimin e pjesëtarëve të organizatës FETO nga Turqia për në Evropë e ShBA, krahas aktiviteteve të tyre në Ballkan.
Sipas raportimeve në Mynet, këtë duhet ta bëjë shteti turk.
“Këtë duhet ta bëjë shteti turk. Ka shumë tradhtarë të (FETO-s), që po veprojnë si të çmendur në ShBA dhe në vendet evropiane”, ka thënë Bahcel.
Ndër të tjerash Bahcel ka bërë thirrje që në të njëjtën formë të sillet edhe lideri i lëvizjes nga Amerika, Fetullah Gulen.
“Nëse predikuesi tradhtar në Pennsylvania do të kapej gjatë natës nga rinia e guximshme turke derisa në kokë ia hedhin një kapuç, dhe më pas nëse do të mund të sillej në Turqi për t’u përballur me drejtësinë me një aeroplan apo anije përmes oqeanit, në atë rast të gjitha maskat e projektit do të binin”, ka shtuar Bahceli.
Sipas tij pikërisht në këtë rast, ndërgjegjja kombëtare do të merrte frymë thellë.
Bahceli ka shtuar se ‘FETO’ që orkestroi tentim puçin, korrikun e vitit 2016 në Turqi, është projekt i grupit terrorist.