Katër zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që u suspenduan nga puna pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, janë kthyer në punë. Komisioni i Ankesave në kuadër të IML-së ka vendosur kështu, duke pretenduar se ka pasur shkelje procedurale në vendimin për suspendim. Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin.
Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala, tash e disa ditë po e vazhdojnë punën normalisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Disa javë pasi u pezulluan rreth zhdukjes së provave për rastin Dehari. ata janë kthyer në punë me vendim të Komisionit të Ankesave që mban datën 27 janar 2023.
Në vendimin e Komisionit të Ankesave të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, thuhet se të suspenduarit duhet të kthehen në punë si pasojë e shkeljeve procedurale. Vendimi është marrë nga një komision që u drejtua nga Valdete Ejupi, Bergita Curri dhe Liridon Kabashi.
Bazuar në informacionet që posedon gazeta Nacionale, disa nga anëtarët e këtij komisioni kanë raporte të afërta me Flutura Gogën, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë. Dikur e emëruar edhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës e Institutit të Mjekësisë Ligjore nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Shkeljet procedurale konsistojnë në mosinformimin e palëve lidhur me fillimin e procedurës shkeljet e pretenduara, të parapara me nenin 48, paragrafi 6 i Ligjit N. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe nenin 4, paragrafi 3 i Rregullores QRK Nr. 11/2020 për Disiplinën dhe Ankesat e Zyrta Publik. Komisioni Disiplinor ka shkelur ligjin material duke mos e mbështetur me bazë ligjore vendimin mbi ndalesën në pagë prej 50% dhe duke mos dhënë arsyet pse kjo masë është e zbatueshme në rastin konkret, që është element i detyrueshëm në çdo arsyetim të secilit akt”, thuhet në vendimin që është marrë nga Komisioni i Ankesave.
Sipas vendimit të Komisionit të Ankesave, Komisioni disiplinor që kishte vendosur për suspendimin e këtyre zyrtarëve, ka dështuar ta arsyetojë pse ka qenë e nevojshme masa e pezullimit me 50% të pagës.
“Dispozitivi dhe Arsyetimi i Vendimit nr. 01/2023 të Komisionit Disiplinor të IML-së është i paqartë dhe i mangët, sepse KD e IML-së është dashur ta arsyetoj pse është e zbatueshme masa e pezullimit në rastin konkret dhe pse pika II. e Vendimit 07/2022 të KD është bërë me pagesë prej 50%, ashtu siç parashihet me nenin 74 të Ligjit të Punës nr. 03L-212 ” kompenzimi i pagës gjatë largimit të përkohshem nga puna”. Komisioni i Ankesave i IML-së ka konstatuar se KD i IML-së ka dështua të korrigjojë shkeljet e evidentuara procedurale të dhëna paraprakisht në Vendimin e KA numë 10/2022. Duke mos e bërë këtë, KD i IML-së ka nxjerrë vendim të paligjshëm duke rënë m kundërshtim me nenin 52, paragrafi 1 dhe nënparagrafi 1.3 dhe 1.5, respektivisht ka veprar në kundërshtim me dispozitat lidhur me procedurën administrative dhe në kundërshtim = ligjin material”, thuhet më tutje në këtë vendim.
Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit kishte njoftuar më 8 dhjetor 2022 ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Më pas ajo kishte njoftuar se Komisioni Disiplinor ka suspenduar me 50% të pagës katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore:
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, nesër do të intervistohet nga Prokuroria Speciale. Kjo pas deklaratave të tij lidhur me vjedhjen e mostrave të Astrit Deharit. Në mesin e personave që Abazi i kishte përmendur, ishte pikërisht Flutura Goga.
“Ka monitorim 24-orësh në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Mendoj se Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurtin, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti Dehari është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që kërkon drejtësi e platforma e VV-së ishte punë e drejtësi. Drejtësia duhet të dalë në dritë, të gjitha rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, ka thënë deputeti Abazi.
Flutura Goga pak kohë para se të zhdukeshin mostrat e Astrit Deharit ishte emëruar si ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Avokati Tomë Gashi, si avokat i familjes Dehari, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk kanë arsye të ftohen për intervistim nga Prokuroria Speciale, edhe pse u përmendën si të involvuar në zhdukjen e mostrave të Rastit Dehari nga deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.
Avokati Gashi tha se këto janë deklarata politike, që synim kanë dëmtimin e reputacionit të Kurtit e Haxhiut.