Ky ishte atentati ndaj Presidentit Rugova, zbardhjen e të cilit e kërkoi Thaçi (Video)

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 22:10 | Nga

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte shumë herë cak i atentateve.

Një nga sulmet ishte edhe ai ndodhur në mars të vitit 2004, në momentin kur ai po shkonte drejt Presidencës së Kosovës nga rezidenca e tij në Velani, dhe pritej të takohej me sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Javier Solana.

Presidenti Rugova i mbijetoi edhe këtij sulmi, por Agim Hoti pretendon se është autor i dy tentim atentateve ndaj tij, transmeton lajmi.net.

Nga burgu i Dubravës, Hoti disa herë ka thënë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj.

Këto akuza asnjëherë nuk janë vërtetuar, pasi që deklaratat e Hotit kanë qenë kontroverse dhe të pabesueshme.

Personat e përmendur nga ai për përgatitje dhe financim të atentatit, i kanë hedhur poshtë akuzat.

Ndërsa sot, presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një letre dërguar Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar hetim të thellë për të gjetur ata që kryen dhe financuan sulmin ndaj presidentit Ibrahim Rugova.

Është hera e parë që një president i shtetit kërkon publikisht që të zbardhet atentati ndaj Rugovës dhe të tjerëve.

Pamjet e mëposhtme, nga arkivi i Associated Press, rikujtojnë përpjekjen për atentat ndaj Rugovës.

Të ngjashme