Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka folur në lidhje me zgjedhjet e lokale që pritet të mbahen në muajin tetor.
Ai tha se janë duke punuar në lidhje me përzgjedhjen e kandidaturave si për Prishtinën po ashtu edhe për komunat e tjera.
Makolli theksoi se Selim Pacolli është kandidat potencial për të garuar për të parin e Prishtinës, por potencoi se akoma nuk ka një vendim definitiv.
“Ne jemi duke punuar në atë drejtim, jo vetëm për Prishtinën, por për të gjitha komunat ku ne do të garojmë. Sigurisht Selim Pacolli është kandidat potencial, por ende nuk është marrë vendimi definitiv. Gjatë javëve në vazhdim do të shpallim edhe kandidaturën për Prishtinë edhe për disa komuna të tjera” tha shkurt Makolli për “Gazeta Blic”.
Deri në këto momente vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shpallur zyrtarisht kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës.
Nga subjektet e tjera politike ende nuk janë zyrtarizuar kandidaturat.
Ditë më parë u raportua se LDK-ja pritet të kandidojë për kryetar të Prishtinës arkitektin Përparim Rama, por dhe kjo mbetet ende në kuadrin e parashikimeve pasi ende nuk është konfirmuar asgjë.
Po ashtu edhe nga partia më e madhe opozitare, PDK-ja, ende nuk kanë dalë me një emër të unifikuar me të cilin do të garojnë për kryeqytetin.