Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Lahi Brahimaj thotë se Gjykata Speciale është e njëanshme por ai është i gatshëm t’i përgjigjet një ftese të saj.
“Edhe pse për mua kjo Gjykatë është e njëanshme prapë se prapë parlamenti i Kosovës e ka votu, unë e respektoj votën shumicë të parlamentit dhe duhet me shku deri në fund”, tha Brahimaj për RTK’në.
“Lufta e UÇK’së është e pastër dhe në fund do të ngadhënjejë e vërteta”, shtoi ai.
Brahimaj tha se ish-bashkëluftëtarët e tij janë shprehur të gatshëm të punojnë me Dhomat e Specializuara, prandaj sipas tij, veprimet në Kosovë për arrestimin e tyre, ishin të panevojshme.
“Mendoj se ka qenë e panevojshme sepse prej rastit të parë Limaj, kur është ngrit aktakuza e parë në Hagë, Limaj dhe të tjerët kanë shku në Hagë dhe pothuajse asnjëherë nuk ka pasur diçka ndaj dëshmitarëve. Edhe Haradinaj dhe ne të tjerët i jemi përgjigjur Gjykatës”, tha Brahimaj.
“Të gjithë të ftuarit në Hagë për intervista kanë shku vullnetarisht dhe nuk ka pasur ndonjë incident ose bojkot të drejtësisë”, përfundoi ai.