Lajçak e “hapë” Urën e Ibrit, shkon këmbë në veri

Prishtinë | 11 Maj 2023 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Lajçak bashkë me ekipin e tij kanë kaluar në veri të Mitrovicës duke ecur mbi urën e Ibrit.

Ai ka thënë se vendimi për hapjen e urës së Mitrovicës duhet të merret përmes dialogut, njofton Klan Kosova.

“Unë jam përkrahës i fortë i vendimeve të pajtuara, zgjidhjeve që janë pajtuar. Besoj që gjithçka që përfshinë të dy palët duhet të merret vesh po nga të dy palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut, prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog”.

“Gjithçka është në dorën e të dy palëve. Ata duhet të merren vesh, por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e përsëris gjithmonë që dialogu duhet të përdoret si platformë për marrëveshje. Nuk duhet që vizioni i njërës palë të jetë mbi vizionin e palës tjetër”.

Lajçak në mëngjes është takuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi.

Pas takimit me Kurtin ai tha se do të shkojë në Veri për të kuptuar situatën atje.

“Në këtë pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës. Dua të kem një pikëpamje të dorës së parë të situatës atje dhe shpresoj që të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar plotësisht në normalizim”, tha Lajçak.

Të ngjashme