Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet.
Pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ai ka bërë të ditur se do të ketë një takim në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën, raporton Ekonomia Online.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.
“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë ai, për një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut.
Ndërsa, për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi “nuk ka arsye”. Kjo pasi sipas tij, ndikon në lëvizjen e lirë të njerëzve.
“Pashë njoftimin, shpresoj se nuk do të ketë bllokadë, sepse kjo ndalon lëvizjen e lirë të njerëzve, dhe ka impakt negativ”, tha emisari pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.