Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, në një opinion për gazetën serbe Danas, shpjegoi se retorika e ashpër nga e kaluara e cila aktualisht po përdoret në Ballkanin Perëndimor, nuk zgjidh problemet, por vetëm i shtyn ato.
Lajçak shkruan se megjithëse BE-ja dha një vizion të qartë të rrugës për Ballkanin Perëndimor, ekziston ende “nacionalizëm i rrënjosur thellë”, si dhe thirrjet për “shtete etnikisht të pastra dhe bashkimin e kombit nën një flamur të përbashkët me shqiponjën dy-krenare, e cila mund të shihet si apel për BE-në që të pranojë rolin e arbitrit më me vendosmëri.”
Ai shpjegoi se BE kishte dëshirë të besonte në përpjekjet e qeverive të rajonit në përmbushjen e kushteve që janë të nevojshme për pranim, por tani ekziston një situatë “e cila nuk mund të kuptohet ndryshe se sa si shantazh”.
Megjithatë, retorika e fundit e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës “megjithëse alarmante, është rezultat i bindjes së Ballkanit Perëndimor në rolin tonë të pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve dhe pastaj duke e lënë rajonin të përballojë vetëm ato”, shkruan Lajçak.
Zgjidhjen e këtij problemi Lajçak nuk e sheh në pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por në “një punë më aktive në këto shtete”, që do të çonte në krijimin e një trupi të specializuar të BE që mund të merrej me Ballkanin Perëndimor, shpjegoi Lajçak.