I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është takuar të martën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç ka bërë të ditur Lajçak, ditë më parë, ai është në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës mes dy palëve, në nivel të kryenegociatorëve.
Javën e kaluar ai ka qenë në Prishtinë për arsyen e njëjtë.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Lajçak ka thënë se është arritur pajtueshmëri për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorëve – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqkit – mirëpo nuk ka dhënë hollësi se kur do të zhvillohet takimi.
Ai e ka konfirmuar që Serbia është tërhequr prej letrës së dërguar në Bruksel vitin e kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva për zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si për Aneksin e zbaitmit.
Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, ia pati dërguar BE-së një letër, përmes së cilës pati thënë se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./Radio Evropa e Lirë