Paraqitja e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, para ambasadorëve në PSC (Komiteti për Politikë dhe Siguri) të BE-së i ka qetësuar pak disa shtete anëtare, të cilat kanë pasur frikë se BE-ja do të jetë e gatshme që në dialogun Kosovë-Serbi të mund të flitet edhe për ndarjen e Kosovës, për shkëmbimin e territoreve, apo ndonjë version tjetër, që do të nënkuptonte ndryshimin e kufijve.
Si diplomat i cili ka përvojë të gjatë nga rajoni, Lajçak duket se është i vetëdijshëm se sa të rrezikshme janë idetë për ndryshimin e kufijve, dhe këtë thuhet se po e paraqet në të gjitha takimet që zhvillon prej kur ka ardhur në Bruksel në postin e ri.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, në takim me përfaqësuesit e BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri, është shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, për çka besohet se kishin folur presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. Kundër kësaj ideje janë shumë vende të BE-së po ashtu, raporton KOHA.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka thënë të martën ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri, se ai do të donte ta organizonte sa më parë një takim në kuadër të dialogut, mundësisht edhe para përfundimit të këtij muaji. Për përgatitjen e një takimi të tillë ai do të kontaktojë edhe Qeverinë e Kosovës, sapo të formohet Qeveria e re. Këtë e kanë thënë burimet e “Kohës Ditore” në Bruksel.
Të njëjtat burime thonë se ai është shprehur se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk do të duhej të ishte rezultat i dialogut, teksa edhe shumë shtete anëtare të BE-së po ashtu janë shprehur kundër kësaj ideje.