Humbje surprizuese për Los Angeles Lakers në NBA. Kampionët në fuqi pësuan disfatën e 4-t në këtë sezon pasi u mposhtën në Staples Center nga Golden State Warriors me rezultatin e ngushtë 115-113.
Stephen Curry fitoi duelin personal me Anthony Davis dhe LeBron James pasi me 26 pikë 1 rebound dhe 7 asiste jo vetëm që ishte basketbollisti me statistikat më të mira mbi parket por udhëhoqi skuadrën nga San Francisco drejt fitores.
Për Lakers më i miri në këtë sfidë ishte gjermani Denis Schroder me 25 pikë ndërkohë që James dhe Davis sëbashku realizuan 36 pikë, ndërsa ish-lojtari i Pelicas spikati edhe 17 topa të rikuperuar poshtë tabelës, të pamjaftueshme gjithsesi për të evituar humbjen.
James Harden e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te Brooklyn Nets, pasi triple-double të realizuar në ndeshjen e parë ndaj Orlando Magic, ish-lojtari i Houston shkëlqeu edhe në suksesin që arriti skuadra nju-jorkeze ndaj Milwaukee Bucks me rezultatin e ngushtë 125-123.
Harden koleksionoi 34 pikë 6 rebound dhe 12 asiste në suksesin e 4-t rresht të Brooklyn ndërkohë një paraqitje të shkëlqyer bëri edhe Kevin Durant autor i 30 pikëve. Për Bucks që pësuan humbjen e 5-të në këtë sezon nuk mjaftoi greku Giannis Antetokounmpo autor i 34 pikëve ndërsa i ndihmoi të tijët edhe 12 rikuperime poshtë tabelës dhe 7 pasime deçizive.
Një fitore të thjeshtë mori Toronto Raptors përballë Dallas Mavericks me rezultatin 116-93, ndeshje në të cilën shkëlqeu Kyle Lowry me 23 pikë 9 rebound dhe 7 asiste. Nuk pati probleme as Miami Heat për të mposhtur me shifrat 113-107 Detroit Pistons.