Lampard arrin marrëveshje për t’u kthyer në Chelsea

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Frank Lampard ka arritur marrëveshje me Chelsean për t’u bërë trajneri i ekipit të parë. Ky lajm pritet të konfirmohet edhe nga klubi londinez së shpejti, pasi që Derby County e lejoi trajnerin të mos e nisë turneun parasezonal me skuadrën e tyre, për të arritur marrëveshje me Chelsean.

Chelsea do t’ia shpaguajë Derby Countyt edhe dy vjetët që Frank Lampardi i kishte në kontratë me ta. Ata do t’ia paguajnë klubit të Championshipit katër milionë funte. Lampardi do ta zëvendësojë Maurizio Sarrin, i cili iu bashkua Juventusit para disa javëve për pesë milionë funte.

41-vjeçari kthehet në klubin ku kishte luajtur për 13 vjet, duke i shënuar 211 gola në 649 ndeshje në atë që mbetet epoka më e suksesshme në historinë e klubit.

Lampardi i fitoi tre tituj të Premierligës, titullin e Ligës së Kampionëve, katër tituj të FA Cup, dy tituj të League Cup dhe një titull të Ligës së Evropës. Ai gjithashtu ishte i dyti në radhë për Topin e Artë në vitin 2005, pas Ronaldinhos.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se Lampardi do ta sjellë me vete stafin e tij që e kishte në Derby County. Ish-mesfushori i Chelseat, Jody Morris, do të jetë ndihmësi i tij edhe në Stamford Bridge.

Ish-trajneri i “Blues”, Chris Jones, gjithashtu do të kthehet, përderisa zyrtari për vlerësimin e paraqitjeve, Steve Rands, besohet se do të jetë njëri personat të cilët do t’i bashkohen klubit londinez. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme