Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, i ka mohuar pretendimet e legjendës së Manchester Unitedit, Roy Keane, se ai i shmang kritikat falë kombësisë së tij angleze.
Chelsea radhitet në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës – me pesë pikë më shumë sesa Djajtë e kuq, që radhiten të pestit – por e ka një disfatë më shumë të regjistruar sesa skuadra e Ole Gunnar Solskjaerit.
Duke folur në Sky Sports pas humbjes së Chelseat me rezultat 1:0 kundër Newcastle të shtunën, Keane tha se Lampardi nuk kritikohet – në krahasim me trajnerin e Djajve të Kuq – për shkak se është anglez.
Lampardi e lavdëroi Keane për pasionin me të cilin i analizon ndeshjet, mirëpo ai insistoi se nuk merr trajtim më ndryshe sesa trajnerët e tjerë për shkak të prejardhjes së tij.
“Në atë moment më pëlcitën veshët sepse nuk mendoj se të qenët anglez të shpëton nga kritikat”, ka thënë Lampard, në konferencën para përballjes të së martës kundër Arsenalit.
“Në fakr, unë dëgjova shumë njerëz që nuk besonin te unë në fillim kur e mora këtë post për shkak se jam i ri dhe anglez dhe e kisha vetëm një vit përvojë në Derby”.
“I përulem Royt, më pëlqen shumë kur e shoh atë duke folur për futboll sepse flet me shumë pasion dhe është i drejtpërdrejtë. Por, nuk mendoj se unë e kam pasur më të lehtë pse jam anglez dhe nganjëherë e ndiej të kundërtën./ge