Kryetrajneri i Chelseat, Frank Lampard, shpreson që lojtarët të cilëve u skadon kontrata në qershor të firmosin kontrata të reja afatshkurta dhe ta përfundojnë stinorin e Premier Leagues që është pezulluar shkaku i pandemisë COVID-19.
Pasi shpërthimi i koronavirusit ka ndaluar futbollin, Federata Botërore e Futbollit (FIFA) muajin e kaluar ka rekomanduar vazhdimin e kontratave të lojtarëve që janë paraparë të përfundojnë në fund të qershorit.
Kontratat e mesfushorit brazilian Willian dhe sulmuesit francez Olivier Giroud do të skadojnë më 30 qershor dhe Lampard ka thënë se dëshiron ta përfundojë stinorin me gjithë lojtarët me të cilët ka nisur. Chelsea po lufton për vendin e katërt në Premier League që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Ne kemi lojtarë të mëdhenj në atë pozitë kështu që është një gjë të cilën po e shikojmë me kujdes. Atyre që po u skadon kontrata kanë qenë shërbyes të mëdhenj. Shpresoj që të bëjmë disa aranzhime që ata të qëndrojnë me ne nëse luajmë sërish. Do të doja të kisha skuadrën të cilën e kam pasur që nga fillimi i stinorit, por të shohim se si do të shkojë”, ka thënë Lampard për faqen zyrtare të klubit.