E deshën apo nuk e deshën, e duan apo nuk e duan, edhe pa tekat e tyre, edhe pa pëlqimet e tyre, Ramiz Kelmendi do të rrojë, qoftë me hir, qoftë me pahir! Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Ramiz Kelmendi iku sonte vonë që t’i ndjekë pas shtatë personat e ’90-s. Edhe ne, herët a vonë, do ta ndjekim Ramizin, por edhe ata shtatëqind milionë të tjerët a sa janë që më nuk janë mes nesh, që janë bërë baltë. Kështu që, ende pa rënë Ramizi në varr e pa u bërë baltë, më duhet ta kujtoj dhe t’jua kujtoj shkurt.
Nuk e kam bërë (atëkohë nuk kisha telefon të selfive) dhe nuk na e kanë bërë asnjë fotografi gjatë tri-katër herëve që kam ndenjur me të, por me Ramiz Kelmendin i kam disa kujtime të shkurtra dhe mbresëlënëse. Njërin prej atyre po jua rrëfej tash.
Për Ramiz Kelmendin kam dëgjuar në vitin 2000, por e kam takuar më 14 shkurt të vitit 2009 në Prishtinë. Para se të takoheshim, drejtori i përgjithshëm i gazetës “Epoka e re”, Sadik Zeqiri, i kishte pas shkruar mesazh: “Profesor, nëse dikush prej gazetarëve tanë merr vesh çfarë duhet të bisedohet me ty, fol me këtë djalë, se ky di çfarë të të pyesë dhe çfarë të shkruajë”.
Sadiku, pasi ia kishte dhënë numrin tim të telefonit dhe e-mail adresën për kontakt, Ramizi po atë ditë së pari më kishte shkruar letër në email pastaj, po gjatë ditës, jo shumë kohë pas letrës që më kishte dërguar në e-mail adresë, më pati shkruar edhe këtë mesazh në celular: “Kolumnisti im i preferuar, më thuaj a e more letrën që të kam nis?”
Pasi e marr mesazhin prej tij, e hap hotmailin. Shoh një letër. Më ka ardhur nga [email protected]. Por, s’është nga Faik bej. Është nga Ramizi.
Nga Ramiz Kelmendi, i cili më kërkon të takohem me të dhe të bisedoj, përpos për punë të tij, edhe për tema të rëndësishme kulturore dhe arsimore dhe për disa “padrejtësi” që më thotë se i janë bërë. E thërras në telefon dhe i bëj me dije se ku jam dhe i kërkoj të më bëjë me dije se ku është dhe ku mund të takohemi dhe kur. Më thotë se është në “Rings”. I them, për pak minuta më ke aty.
Kur shkoj, shoh se nuk është vetëm. Përbri ka një vajzë të re, një biondinë tepër të bukur, e cila buzëqesh pa ndal teksa e dëgjon Ramizin, i cili nuk e fërkon me duar, por e “grith” me fjalë. Meqë nuk më njeh, ulem në një tavolinë afër tyre dhe hap veshët.
Dëgjoj se tema nuk është private e rreth ushkurit. Çohem e i prezantohem: “Profesor, tungjatjeta! Unë jam Berati i ‘Epokës…”’. Më thotë, teksa zgjat kokën para: “Po ty po të prisja, o Agamemnon!” Ia huq mbiemrit. S’ia tërheq vërejtjen se e kam Armagedon, e as nuk i them se po kaq i pazakonshëm e i vështirë për shqiptim është edhe ky, për mua mbiemër, i marrë në “Bibël” për një toponim për një fushë të Palestinës, në të cilën, besojnë të krishterët, se Zoti do të na mbledhë të na gjykojë, ndëshkojë e shpërblejë.
Rrimë shkurt të tretë, por rrimë gjatë ne të dy, unë me Ramizin përballë, të cilit i bëj me dije se intervistën që do ta realizojmë sot, më datë 14 shkurt 2009, do ta botojmë në numrin festiv që po përgatit “Epoka e re” në shenjë të njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Pasi marr miratimin e tij me gjithë qejf, fillimisht më vjen ndërmend ta pyes: “Më 12 prill 2007, pas mbi tre çerekshekulli jete dhe veprimtarie si pejan me vendlindje dhe si rugovas me prejardhje, dhatë dorëheqje nga vendlindja, Peja, dhe nga prejardhja, Rugova. Morët këtë vendim ngaqë besuat se ju harroi Peja e Qeveria e atëkohshme, apo se Peja nuk ndiqte hapat e Gjakovës, e cila u jepte mirënjohje personaliteteve të Gjakovës?”
Në këtë pyetje është e natyrshme se i intervistuari por-treton veten dhe punën e vet. Dhe unë, duke e njohur punën e tij prej shkrimtari e publicisti, ia jap mundësinë Ramiz Kelmendit, në moshën rreth tetëdhjetëvjeçare, të më flasë për Ramiz Kelmendin e moshës së rinisë, të pjekurisë e të pleqërisë, deri në kohën kur gjykon se ka nisur ta harrojnë institucionet, se e ka harruar edhe vendlindja ditëlindjen e tij, se kanë nisur ta harrojnë edhe dashnoret, edhe shokët.
Më vë në siklet, me buzët që i dridhen e goja që nuk i pushon së foluri, kur më flet për vendlindjen. Për të shprehur keqardhje me gjendjen e tij, përpiqem ta ngushëlloj me një referencë biblike e një figurë kishtare: “Profesor, nuk jeni i vetmi që ‘vendlindja’ ju ka lënë në harresë, nuk ju ka çmuar e vlerësuar sa duhet. Kështu i pati ndodhur edhe Jezu Krishtit. Edhe atë e çmonin rreth e rrotull botës, por jo dhe në Nazaret (vendlindje). Pse këtë paragjykim Nazareti për Joshuan e Peja për Kelmendin?”
S’e kujtoj saktësisht si m’u pat përgjigjur Ramizi në këtë pyetje, por e di se ndihej i zhgënjyer në komunën e Pejës, në Drejtorinë e Kulturës së kësaj komune, e cila lëre që s’kishte organizuar asnjëherë asnjë tryezë shkencore për veprimtarinë e tij letrare e publicistike në vitet jubilare (në pesëdhjetë, gjashtë e shtatë dhjetëvjetor, por nuk po përgatiste asgjë as për tetë dhjetëvjetorin e lindjes së tij).
Ramizi nuk ndihej mirë. Mua s’ma qante vetëm hallin e vet, por të të gjithë Ramizave, të cilët, po sikurse ky, nga vendlindjet e tyre ishin lënë anash dhe në harresë dhe nuk kujtoheshin as për ditë të festave të librave, por as për ditë të festës kombëtare, shtetërore e as për ndonjë festë fetare.
Ramizi, sa më shumë që kujtonte të kaluarën, aq më shumë ndiente keqardhje për këtë vend dhe për të ardhmen e tij e rininë e tij. Meqë e zuri në gojë Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”, gjeneratat e këtij Fakulteti të cilat kishin filluar t’i informonin qytetarët e Kosovës për ngjarje ditore menjëherë pas luftës, kur e pyeta pse e mbyllët këtë Fakultet, në të cilin ju filluat shumë gazetarëve t’ua mësonit abc-në e medieve, më tha: “Ma e mbyllën, o Agamemnon! I mbyllën, për interesa të vetat, dyert e ‘Faik Konicës’, e i hapën disa dyer në Fakultetin e Filologjisë, të një shkolle të gazetarisë me profesorë të letërsisë”.
Ndërkohë, më foli gjatë për rëndësinë e “Faik Konicës”, për qëllimin e vet që kishte për zhvillimin e këtij fakulteti dhe për mësim të gjuhës shqipe për të gjithë ata gazetarë që nuk e shkruanin dhe s’e flisnin shqipen drejt. Në këtë kontekst, teksa më fliste për gjuhën shqipe dhe parimin dhe normën e saj, edhe pse u përpoqa mos t’ia përmend emrin e të birit të tij (Migjen Kelmendit) dhe të kundërshtarit të të birit të tij (profesorit, tashmë të ndjerë, Isa Bajçincës), nga goja më doli edhe kjo pyetje: “Yt bir, Migjeni, ka pasur disa herë “përleshje orale e verbale” për gjuhën shqipe me profesor Isa Bajçincën.
Dialekti gegë e gjuha standarde i kanë përplasur me njëri-tjetrin. Ç’duhet bërë që këta të përafrohen në pikëpamje për gjuhën?” Parimisht, për standardin e shqipes, më shumë i jepte të drejtë Isës sesa Migjenit. Po, sepse Ramizi donte që kultura e gjuhës shqipe të ishte brenda normës së shqipes dhe të përdorej korrekt nga mediet e nga folësit në medie, sepse e dinte që ndikimin më të madh në publik mund ta kenë këta që dalin para syve tanë e afrohen para veshëve tanë.
Ai më thoshte se gjuha shqipe po shtrembërohet për çdo ditë nga kushdo, sidomos nga politikanët e nga mediet, të cilat s’po janë në gjendje të kenë kulturë më të mirë gjuhësore sesa e kanë tash këtë fjalor të varfër, me fjalë të huaja, me sintaksë të shthurur, që s’është shqipe, me qindra gabime teknike e morfologjike që një mendje e shëndosh në një trup të shëndoshë nuk do të duhej t’ia lejonte vetes t’i bënte kurrë. Absolutisht një gazetar i mirë. Por, më thoshte Ramizi, “kaq dinë dhe kaq bëjnë”.
E unë, jo për ta bërë më nervoz, por për ta mbështetur në këtë ide e analizë bërë gjuhës së medieve, ia kujtoja se në programin e elektronik të drejtshkrimit, për hartimin e të cilit kanë marrë pjesë disa studiues të gjuhës e disa gjuhëtarë, pa nevojë, po ata, kanë futur në përdorim edhe këto fjalë: eksperiencë, trojkë, prezent, direkt, indirekt, dirigjohen, menaxhohen, adaptoj, aplikoj, atraktiv, civilizim, imazh, inicioj, maestro, rigoroze, definicion, elektoral, kalkulime, esencial, eveniment, ekstrem, dekorues, konkludim, të cilat në shqipe i kanë zëvendësimet.
Ramizi në atë intervistë më kishte folur edhe për rëndësinë e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968). Më kishte folur edhe për Kongresin e Drejtshkrimit (1972) dhe nëse duhej të mbahej edhe një tjetër kongres për gjuhën. Më kishte folur edhe për rëndësinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, edhe për disa anëtarë të saj dhe për punën e mospunën që bën Akademia jonë.
Ramizi iku nga kjo botë në moshën 86-vjeçare. Iku në muajin e parët të vitit. Iku kur më nuk shkruante as libër, as recension për libër, as parathënie për libër, as nuk sillte në shqip letërsi të huaj. Iku kur as vendlindja e tij s’e dinte që jetonte e as nuk e nderonte. Ramizi iku kur nuk e ndiqte më askënd pas, as fizikisht, as trillimisht. Ramizi kënaqej me neve kur na shihte dhe kënaqeshim me të kur e shihnim. Gjithmonë i buzëqeshur. Gjithmonë i këndshëm derisa u shtri përdhe dhe, si gjithë të tjerët e derisotëm, vdiq. Ndërroi një jetë.
Por, ja që Ramiz Kelmendin do ta kujtojmë ndryshe nga disa të tjerë dhe kemi pse ta kujtojmë e ta nderojmë. Do ta kujtojmë për hartim të teksteve letrare shkollore dhe për përkthim në shqip të romanit “Dhuntia e shqiponjës” të shkrimtarit latino-amerikan Karlos Kastanedës. Po për përkthimin në shqip të novelës “Plaku dhe deti” e për novela të tjera të Heminguejit; për “Pjetër Panin” e Barries që e bëri të flasë e të luajë shqip; për “Jehun e egërsisë” të Xhek Londonit me të cilin i gëzoi të vegjlit e nuk i la të qetë as të rriturit; për përkthime në shqipe nga anglishtja të disa tregimeve bashkëkohore amerikane; për “Duart e ndyta” të Sartrit që teatrit tonë i duheshin shumë së bashku me të tjerat drama të tij (“Me dyer të mbyllura”, “Të vdekur, të pavarrosur”, “Lavirja e respektueshme”); për “Golgotën” e Kërlezhes që e bëri të flasë dhe të luhet shqip; për “Procesin” e Kafkës të cilin nuk la kush pa e kërkuar e lexuar ato ditë të botimit në Prishtinë më 1972; për “Daullen e llamarintë” të Grasit që e pritëm dhe po vazhdojmë ta presim mjaft mirë; për prurje po në shqip të romanit “Njëqind vjet vetmi” të Markezit; për përkthime nga serbishtja të tregimeve e të novelave sllovene, me titull të përbashkët “Mundqarët”, të shkrimtarit Prezhihov Voranc; për “Duert” dhe për “Banjën e përbashkët” që solli në shqipe të shkrimtarit kroat Ranko Marinkoviç; për “Shakanë” e Kundrës që e përktheu në shqip; për “Adamin dhe Evën” të shkrimtarit rus Jurij Kazakov që e solli edhe në kopshtin tonë shkëmbor të drejtuar kah Evropa me prapambeturi të madhe e përkrahje shkel e shko nga ajo; për novelat e shkrimtarit serb Antonije Isakoviçit, “Fieri dhe zjarri”, që i bëri të flasin shqip në vitin 1965; edhe për “Fshehtësitë” e shkrimtarit Oskar Davicos. Po edhe për “Enciklopedinë e të vdekurve” të Danillo Kishit.
Ramizin s’do ta kujtojmë vetëm për përkthime, por edhe për veprat e tij letrare e publicistike: për novelën “Vija e vrragë”, për “Dy rrëfimet” e tij, për “Letrën prej Ulqini”, për “Heshtjen e armëve”, për “Ahmet Koshutanin”, për “Abrakadabrat” e tij, për ata “Shtatë personat që e ndjekin autorin”, për “Suzanën” e tij, për “Njerëzit dhe kërmijtë”, për lojërat skenike, monodramat, skeçet e monologët me titull të përbashkët “Kapuç me mëngë”, për udhëpërshkrimet e tij “Shtegtimet e mia”, edhe për korrespodencat e polemikat “Fytyra dhe turinj”. Ramizin, po deshëm, mund ta njohim edhe pak më shumë në faqet e “Rilindjes”.
Ai përktheu letërsi të huaj, kryesisht nga serbishtja, të cilën e njihte mirë. U përpoq t’i shmangë nga përdorimi kalket sllave por, në shqipe, gjatë përkthimit të prozës së huaj, të romaneve, të novelave e të tregimeve, i fishkëllejnë shumë të tilla.
Ramizi edhe përktheu letërsi, edhe shkroi letërsi. Çuditërisht, edhe pse ishte përthyes, veprat e tij nuk u përkthyen në shumë gjuhë sa shprehte interesim për përkthimin e letërsisë së huaj në shqipe. Ka mundësi të mos ketë pasur kontakte me shumë përkthyes e botues seriozë. Së këndejmi, Ramizi, përpos për interpretim të letërsisë, pati shfaqur interesim e prirje edhe për studime letrare. Ka shkruar disa parathënie të librave dhe ka bërë disa interpretime të disa romaneve e të disa novelave të autorëve të huaj e vendorë, të cilat i ka botuar, pjesën më të madhe në revistën letrare “Jeta e re”, disa edhe në gazetën “Rilindja”.
Por, interesim serioz për studim ka shfaqur kur studion tregimin humoristik satirik. “Tregimi ynë humoristiko-satirik : (1944-1974)” quhet një libër studimor i tij, në të cilin Kelmendi, përpos që vërehet se di të bashkëpunojë me literaturë, vihet re se di edhe të japë mendim studimor e kritik. Po ashtu, interesim, vetëm se për studim të dramës, ai ka shfaqur edhe me përkthimin nga serbishtja të tekstit voluminoz “Drama e sotme jugosllave”.
Ka përkthyer edhe dy libra të tjerë nga serbishtja, jo nga fusha e tij – e letërsisë, por nga e tjetërkujt – e ekonomisë dhe politikës. Ka bërë edhe disa punë të vogla, por të çmueshme: përmbledhje e përzgjedhje të veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Pavarësisht prej gjithë kësaj veprimtarie e krijimtarie, Ramiz Kelmendi nuk e pati jehonën që e donte.
Veprat e tij sot, edhe pse do të duhej, në Fakultetin e Filologjisë përmenden nga të rrallët profesorë, kurse për lexim studentëve nuk u jepet pothuajse nga asnjëri profesor. Megjithatë, e deshën apo nuk e deshën, e duan apo nuk e duan, edhe pa tekat e tyre, edhe pa pëlqimet e tyre, Ramiz Kelmendi do të rrojë, qoftë me hir, qoftë me pahir!
Lamtumirë, Joshua i Pejës!