Langmeijer: Kosova larg anëtarësimit në BE, por më afër liberalizimit

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 15:57 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Menaxheri i projektit të binjakëzimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Timo Langmeijer, ka thënë se Kosova është larg anëtarësimit në BE, por është më afër liberalizimit të vizave, raporton Ekonomia Online.

Këto komente Lang Majer i bëri në një ligjëratë me studentët e Kolegjit UBT në kuadër të fushatës së vetëdijesimit për parandalimin e migrimit të parregullt në kuadër të projektit të binjakëzimit të financuar nga BE-ja me temë “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës, në menaxhimin efektiv të migrimit”.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është pak më larg, por liberalizimi i vizave është pak më afër. Situata në Kosovë do të përmirësohet më tutje dhe natyrisht edhe çështja e migrimit”, ka thënë ai.

Langmeijer më tej tha se ideja e këtij projekti është që organizatat të bashkëpunojnë në mes vete në mënyrë që të arrihen rezultatet e caktuara, duke shtuar se MPB-ja është përgjegjëse për menaxhimin e migrimit.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme,  Valdet Hoxha, njëherësh Koordinator Nacional për Migrim, tha se ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve në menaxhimin e migrimit të parregullt.

“Migrimi i parregullt nuk është zgjidhje e duhur. Ky lloj migrimi ka një kosto të lartë financiare dhe morale. Prandaj, të gjithë duhet ta bartim mesazhin te qytetarët për pasojat e migrimit të parregullt dhe të mos bien pre e grupeve të ndryshme kriminale të cilët per interesa të tyre të ngushta i inkurajojnë për një lëvizje të tillë”, tha Hoxha.

Ndërsa ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tha se shtetet evropiane janë mbingarkuar nga refugjatët e vendeve të shumta që gjenden në konflikt, prandaj, migrantët kosovarë nuk janë prioritet pasi që Kosova konsiderohet si vend i sigurt.

Ndërsa rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se “çdo mas parandaluese, çdo njoftim profesional ndihmon shumë në ngritjen e imazhit  dhe të në një lloj efiçience të jetës së të rinjve dhe qytetarëve tone, në rrugëtimin drejt një karriere”.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga Holanda si partner kryesor dhe Austria e Suedia si partner mbështetës në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, respektivisht me Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim.

Përmes kësaj fushate të vetëdijesimit, qytetarëve të Kosovës do të vazhdohet tu shpjegohet rëndësia e respektimit të ligjit në fushën e migrimit.

Në kuadër të komponetës së katërt të këtij projekti, do të mbahen aktivitete të ngjashme edhe në ditët në vijim.

Të ngjashme