Lansohen masat për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

Prishtinë | 22 Nën 2023 | 14:12 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka lansuar subvencionimin për pajisje efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti, tha se janë investuar 35 milionë euro në këtë sektorë dhe kjo falë mbështetjes së BE-së. Duke arsyetuar çmimet e energjisë, ai tha se për këtë ka ndikuar lufta në Ukrainë. 

Sipas tij, lansimi i kësaj thirrje tregon përkushtimin e miqve për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Këtë vit për herë të parë është duke investuar një shifër rekord prej 35 milionë euro në programet e eficiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset, që njëherësh është shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë. Ky investim është mundësuar falë mbështetjes nga Komisioni Evropian në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë euro. Në kuadër të zbatimit të programit kombëtar duke filluar nga pranvera e këtij viti, kemi filluar me një seri masash. E kemi nisur programin për efiçiencë të energjisë në ndërtëse të banimit social, në vlerë prej 10 milionë euro. Nga i cili përfitojnë 13 komuna për renovimin dhe përshtatjen për eficiencë të 28 ndërtesave për banim social”, tha Kurti.

“Sektori i energjisë është sektori më i rëndësishëm për ekonominë e një vendi dhe faktorin kryesor bizneset e kanë çmimin e energjisë. Lansimi i kësaj mase tregon përkushtimin e miqve tanë për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ndërmarrësit vendës janë kontribuuesit kryesor të zhvillimit ekonomik, prandaj u ka bërë thirrje që të aplikojnë për subvencione.

“Masa për subvencionim të ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme do të jetë e hapur që nga sot dhe përfshin subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, për pompa termike, për kondicionerë apo klima efiçiente. Për të parën në vlerë deri në dy mijë euro, për të dytën në vlerë deri në një mijë euro. Kaldaja me biomasë, si dru, pelet në vlerë deri në dy mijë euro, si dhe studa individuale me biomasë në vlerë deri në 500 euro. Përfitimet e investimeve në efiçiencë të energjisë përkthehen drejtpërdrejt në kursime, në kostot e bizneseve”, u shpreh ajo.

Ndërsa Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se deri në shtator kanë aplikuar 20 mijë familje për subvencionim në sektorin e energjisë, raporton EO.

“Gjatë vitit 2023, qytetarët kanë parë një përkrahje të madhe sa i përket subvencionimit të energjisë, ku deri në shtator, sa i përket konsumatorëve kanë aplikuar 20 mijë familje”.

Masat që janë prezantuar përfshijnë:

Pompë termike;

Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);

Stufa individuale me biomasë.

Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €. Kurse, për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.

Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është njëzet përqind (20%) e vlerës investive, apo deri në 1000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është njëzet e pesë përqind (25%) e vlerës investive dhe deri në 1000.00 €.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet dyzet përqind (40%) e vlerës investive, dhe deri në 2000.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 2000.00 €.

Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €. Për bizneset në pronësi apo në bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) e tutje, vlera e subvencionimit është dyzet e pesë përqind (45%) e vlerës investive dhe deri në 500.00 €.

Aplikimi për subvencionim është  e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 21 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/11/1Draft-final-21-11-2023-NMVM-Thirrja-per-Pajisje-ngrohese-eficiente.docx

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën:  [email protected]

Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.

Të ngjashme