Lansohet aplikacioni për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë

Prishtinë | 15 Mar 2026 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar aplikacionin për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, aplikacioni do të jetë i disponueshëm për shkarkim në telefonat mobil me sistemet Android dhe iOS (iPhone), ndërsa deklarimi i adresës do të mund të bëhet edhe përmes faqes së Policisë së Kosovës në internet.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëhet e ditur se lansimi i aplikacionit është pjesë e përpjekjeve për digjitalizimin e shërbimeve dhe përshtatjen me zhvillimet teknologjike.

“Lansimi i këtij aplikacioni bëhet në kuadër të angazhimeve që ka Ministria e Punëve të Brendshme për digjitalizimin e shërbimeve, duke ndjekur trendet e zhvillimit të teknologjisë. Njëkohësisht, duke ofruar këtë platformë, ne do t’u krijojmë lehtësira të huajve që hyjnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se aplikacioni është i thjeshtë për t’u përdorur dhe përmban rubrikat e nevojshme që duhet të plotësohen nga qytetarët e huaj gjatë qëndrimit të tyre në vend.

“Ky aplikacion është shumë i thjeshtë dhe i lehtë për t’u përdorur, në të cilin janë të parapara rubrikat e domosdoshme që qytetarët e huaj duhet t’i plotësojnë për kohën sa qëndrojnë në vendin tonë”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve, deklarimi i adresës nga shtetasit e huaj brenda tre ditëve nga hyrja në Republikën e Kosovës është obligim ligjor.

Të ngjashme