Komisioni për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me organizatat “Save the Children” dhe “Syri i Vizionit”, kanë lansuar fushatën e Ndalimit të Ndëshkimit Trupor dhe Dhunës ndaj Fëmijëve, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se dhuna ndaj fëmijëve nuk duhet të ndodh asnjëherë.
Ai tha se të flasësh për të drejtat e fëmijëve do të thotë të flasësh për diçka shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, duke treguar kështu se si po trajtohet e ardhmja.
Ai tha se Kosova duhet të krijojë gjenerata të përgatitura të të rinjve, të cilët janë të gatshëm të përçojnë mesazhe dhe të jenë bartës të prosperitetit, inovacionit, të edukimit e të zhvillimit.
“Nëse kemi fenomene të tilla atëherë kemi të bëjmë me njerëz që kanë probleme dhe mbase me ta do të duhej të merrej psikiatri. Nuk mund ta paramendoj se si një prind mund të përdorë dhunë ndaj fëmijëve. Të ruhen fëmijët tanë në mënyrë që të mos kenë ndonjë deformim në personalitetin e tyre. Janë e ardhmja jonë”, ka thëne Veseli.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MMPS), Skënder Reçica, tha se nuk duhet lejuar dhunë apo diçka të ngjashme e cila ndikon në mirëqenien e fëmijëve. Ai tha se dhuna duhet të parandalohet pasi është rrezik si në aspektin fizik dhe atë mental.
“Ne e kemi obligim tu garantomë të drejtat e tyre dhe mos të lejojmë dhunë apo diçka tjetër që ndikon në mirëqenien e tyre në të ardhmen. Jam i vetëdijshëm që kjo nuk mjafton, sa përket dhunës e kemi përgjegjësi dhe duhet të punojmë çdo ditë. Ndëshkimi trupor fatkeqësisht është i pranishëm në mbarë botën. Një numër janë viktimë e ndëshkimit botërorë ku ka raste ku disa vdesin e disa përjetojnë ankthe. Kjo dhunë të parandalohet pasi është rrezik si në aspektin fizik dhe atë mental. Ndëshkimi trupor dhe dhuna të mos zë vend në vendin tonë”, tha Reçica.
Kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, kjo fushatë ka për qëllim kontributin për vetëdijesim rreth dhunës dhe dëmtimeve që u shkaktohen atyre.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka përmendur ministritë të cilat sipas tij duhet të bëjnë më shumë në mbrojtjen e fëmijëve.
“Është ministria e Arsimit e cila duhet të bëjë fushat për informim te psikologët për fëmijët, fëmijët të raportojnë dhunën dhe të vetëdijesohen në lidhje me pasojat e dhunës. Ministria e Mirëqenies fëmijët të mos i lë në rrugë, fëmijët që kërkojnë lëmosh. Nga ministria e Shëndetësisë të raportojë me kohë për abuzimin e fëmijëve dhe pasojat në raste të mos raportimit. Si avokat i popullit jam i njoftuar nga raporti vjetor dhe kemi një kapitull të veçantë që merret me të drejtësi të fëmijëve. Besoj se të premten e përcjellim raportin vjetorë dhe besoj që të ketë seancë plenare”, tha Jashari.
Drejtoresha ekzekutive e “Save the Children”, Kanarina Shehu, ka treguar për fushatën dhe për format që do të përdoren në parandalimin e dhunës.
“Jemi krenarë që në Kosovë u kemi tregu format prindërve në mënyrë që nesër dhuna të ndalohet. Ekzistojnë mënyrë që tregojnë se si duhet trajtuar”, tha ajo.
Vlora Latifi nga “Syri i Vizionit”, tha se qëllimi i fushatës është të vetëdijësojmë prindërit dhe qytetarët se pasojat e dhunës janë shumën të mëdha.
“Jemi munduar të punojmë fuqishëm në ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve në nivel të shkollave, por edhe në nivel komune. Qëllimi i këtij takimi ka qenë të lansojmë projektin e kësaj fushate, t’i paraprijmë ligjit edhe pse është dashtë që ligji të jetë tashmë. Qëllimi i fushatës është të vetëdijsojmë prindërit dhe qytetarët se pasojat e dhunës janë shumën të mëdha”, u shpreh ajo, raporton EO.
Ormir Ulaj, përfaqësues i grupit të fëmijëve “ROR”, thotë se raportet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve janë shumë të rëndësishme.
“Alternativat në vend të dhunës janë bisedat, është e rëndësishme që te jenë në nivele të njëjtë, jo fëmija të sheh prindërit si diçka shumë e lartë. Ka raste kur dhuna nuk denoncohen dhe kjo për shkak se fëmijët janë mësuar të dhunohen nga prindërit dhe mësimdhënësit”, tha ai.