Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq u takuan sot me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Gjatë këtij takimi, Murati prezantoi masën e punësimit për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurove.
“Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore. Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin zyrtar.
Të gjithë qytetarët nga katër komunat veriore pa marrë parasysh a kanë ndonjë anëtar të punësuar apo jo, po i bashkohen skemës duke garantuar kështu punësim gjithëpërfshirës dhe të dinjitetshëm për të gjithë.