Ministria e Financave në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe GIZ kanë mbajtur ceremoninë e lansimit publik të Portalit të Transparencës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ky portal do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë interes për të situr të gjitha të dhënat buxhetore për nivel lokal dhe qendror dhe me këtë synohet transparenca më e madhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Transparenca buxhetore është prioritet i Ministrisë së Financave dhe ne jemi munduar me dhënë transparencë. Në vazhdimësi kemi bërë avancime për transparencë karshi opinionit për menaxhimin e parasë publike, u bë raportim publik në mes raporteve dhe kemi vazhduar me publikuar të hyrat. Falë përkushtimit të zyrës për komunikim publik dhe si Ministri e Financave dhe me mbështetjen e Gjermanisë përmes GIZ-it në sot do lansojmë para jush portalin e transparencës ku për herë të parë do kenë qasje për të dhënat e buxhetit të shtetit”, tha ministri Hamza.
Hanza shtoi se në këtë portal do të jenë publike të gjitha shpenzimet dhe ndarja e buxhetit në nivel lokal dhe qendror.
“Në këtë portal janë të vendosura gjitha kategoritë buxhetore ku shihen lehtë te hyrat dhe shpenzimet tre mujore dhe vjetore. Në mënyrë automatike të qasen ne të dhënat e buxhetore te Kosovës, me lansim të sotëm ne po hapim dritare informative te nevojshme për buxhetin dhe informacionet do jene të qasshme ne mënyrë analitike dhe te krahasueshme”, tha ai.
Sipas Hamzës, si Ministri e Financave kanë marrë vlerësime të larta sa i përket transparencës buxhetore dhe fiskale.
Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se ky hap që po bën kjo ministri është revolucionare dhe projekt i rëndësishëm.
“Kjo është diçka revolucionare që po bëni ju dhe ministria juaj që keni punuar për këtë projekt, dua të falënderoj punonjësit e GIZ-it pasi që ky është një projekt i rëndësishëm sepse transparenca e buxhetit është fakt kyç për zhvillimin e Kosovës”, tha Heldt.
Sipas Heldt, për vite të tëra Gjermania ka financuar në ministri për të përmirësuar transparencën buxhetore.
“Është motivim për të kuptuar më mirë funksionimin e shtetit dhe të qeverisë sepse politika fiskale prek çdo kënd, nga ajo se kush paguan dhe sa tatim po paguan dhe për këtë po flasim sot se në çka po përdoren këto tatime”, tha ai.
Gjatë këtij lansimi u tha se ky format i ri i pjesëmarrjes është diçka që shumë vende edhe Gjermania do mund të mësonin nga ky rol i ri që Ministria e Financave dhe Qeveria po ndërmerr që të vë në dispozicion të dhënat financiare për të gjithë.