Lansohet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje – Rizvanolli: Investojmë 30 milionë €, kriza mund të anashkalohet

Prishtinë | 22 Sht 2023 | 12:00 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Ekonomisë ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa, që financohet nga Bashkimi Evropian (BE). Masat janë prezantuar të premten nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Me këto masa synohet mbështetja e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Ministrja e këtij dikasteri, Artane Rizvanolli, tha se falë përkrahjes nga Bashkimi Evropian, po investohen 30 milionë euro në efiçencë të energjisë.

Nga masat e subvencionimit, Rizvanolli tha se rezultatet kanë qenë të prekshme ku qytetarët kanë arritur të kursejnë energjinë falë pajisjeve efiçente, duke shtuar se këto janë hapa drejt anashkalimit të krizës energjetike.

“Këtë vit po investohen 30 milionë euro për qytetarët në efiçencë të energjisë dhe këtë po e bëjmë falë mbështetjes nga BE. Faza e parë mbetet e hapur deri më 2 tetor dhe deri më tani kemi pranuar 3 600 aplikacione”.

“Në vazhdimësi të këtyre masave, sot po e lasojmë fazën e tretë, për subvencionim. Investimet në këtë fazë janë kyçe për të ruajtur efiçencën e energjisë dhe kjo masë është një hap drejtë ruajtjes dhe përballjes me krizën energjetike”, u shpreh Rizvanolli.

“Gjatë vitit të kaluar, familjet kosovare kanë arritur të kursejnë deri në 40 për qind të energjisë falë mbështetjeve të këtilla”.

Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

“Këto fonde po bëhen kryesisht përmes Implementimit nga fondi i BE-së, ku përfitues janë mbi 200 mijë shtëpi dhe mendoj se kemi ngritur vetëdijen edhe thirrjet për prindërit vetushqyes dhe pensionistët”.

“ME është duke bërë këto investime në këtë drejtim dhe jam shumë i lumtur që po shohim një interesim të qytetarëve dhe besojmë se po ngritët vetëdija e qytetarëve për të kursyer energjinë. BE është e interesuar të përkrahen të gjitha vendet e Ballkanit dhe në afatgjatë është dekarbonizimi”.

Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë për qind e vlerës investive, apo deri në 2 000 €.

Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet për qind e vlerës investive, apo deri në 400 €. Për prindërit vetushqyes gjashtëdhjetë për qind e vlerës investive dhe deri në 550 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet gjashtëdhjetë për qind e vlerës investive dhe deri në 550 €.

Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1 200 €.

Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një pajisje është shtatëdhjetë për qind e vlerës investive dhe deri në 435 €. Për prindërit vetushqyes nëntëdhjetë për qind e vlerës investive dhe deri në 560 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet nëntëdhjetë për qind e vlerës investive dhe deri në 560 €.

Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.

Afati për aplikim është gjashtëdhjetë ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor.

Ata që kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022,  ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje.

Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/472

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun:
https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Thirrje-publike-Investimi-ne-pajisje-ngrohese-eficiente.pdf

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën:  [email protected]  

Të ngjashme