Lansohet thirrja publike për përkrahjen financiare të NMVM-ve në sektorin e Industrisë Kreative

Prishtinë | 06 Gus 2025 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka bërë të ditur hapjen e një thirrjeje publike për mbështetje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme që veprojnë në sektorin e industrisë kreative. Kjo skemë e mbështetjes është rezultat i një bashkëfinancimi mes MINT-it, përmes KIESA-s, dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, dhe do të implementohet në bashkëpunim me UNDP-në, njoftoi ministrja në detyrë e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari.

“Vlera totale për fazën e parë është një milion euro që planifikohet të shpërndahet përmes tre kategorive, mikro, të vogla, dhe të mesme. Për dokumentet e kërkuara për aplikim sipas udhëzimit administrativ më 5 gusht është mbajtur session informues me këtë sektor. Aplikimi bëhet vetëm përmes platformës E-Kosova dhe afati për aplikim është nga data 4 gusht 2025 deri më datën 22 gusht të këtij viti, pra 2025”, shtoi Hajdari duke treguar më tutje për detajet e aplikimit, përcjell EO.

Ajo nënvizoi disa nga aktivitetet kreative që kanë të bëjnë në prodhimin e instrumenteve muzikore, të prodhimit të filmave dhe videove dhe të postproduksionit të tyre, të arkitekturës etj., duke shtuar se vlera totale për fazën e parë arrin shumën e 1 milion eurove e që planifikohet të shpërndahet përmes tre kategorive të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

Sipas ministrisë, kjo skemë është zhvilluar në kuadër të bashkëfinancimit ndërmjet MINT-it përmes KIESA-s dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, e cila do të zbatohet në bashkëpunim me UNDP. 

Ajo më tej shtoi se në vitin paraprak MINT “përmes agjencisë KIESA ka mbështetur rreth 308 biznese me grante dhe rreth 180 biznense për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare, me mbështetje financiare rreth 7.8 milionë euro.

Ajo shtoi se në sivjet ka rritje të buxhetit.

“Kemi filluar me grante për makineri të avancuara prodhuese e përpunuese vlera e së cilës është mbi 5 milionë euro për këtë vit, ku gjithsej janë 996 aplikues dhe jemi duke kërkuar fonde të tjera shtesë nga skema të tjera të ministrisë dhe nga Ministria e Financave”, tha Hajdari, duke shtuar se mbështetja ndaj ekonomisë dinamike është në prioritet nga qeveria, një ekonomi me bazë në prodhim e inovacion.

Të ngjashme