“Revolucioni” i ashtuquajtur i presidentit të Real Madrid, Florentino Perez, ishte paralajmëruar shumë më herët, ku me këtë nënkuptohej se një numër i futbollistëve aktual të ekipit madrilenë do të largoheshin nga skuadra, derisa u premtuan blerje të bujshme gjatë afatit kalimtar të verës.
Në mesin e këtyre largimeve nuk ishte llogaritur edhe ai i trajnerit të dorëhequr Zinedine Zidane, së paku jo fillimisht, dhe ky zhvillim i javës së kaluar, ka bërë që edhe një prej transferimeve të ngec momentalisht.
Bëhet fjalë për anësorin e Liverpoolit, Sadio Mane, për të cilin Real Madrid thuhet se veçse kishte biseduar më herët dhe ishin marrë vesh që senegalezi do të transferohej në “Santiago Bernabeu” gjatë kësaj vere.
Kjo bisedë dhe marrëveshje sipas disa mediumeve, është arritur para largimit të Zidane, me ç’rast Mane do të shndërrohej në blerjen e parë t`verës nga Real Madrid, mirëpo largimi i papritur i trajnerit francez, ka bërë që ky transferim të shtyhet, por jo edhe që të mos ndodh.
E gjitha kjo thuhet se do të ndodh, pasi vet Sadio Mane veçse i ka pranuar kushtet e kontratës nga Real Madrid dhe tani ka mbetur vetëm akordi i “Los Blancos” me Liverpool, lidhur me çmimin për të cilin 26 vjeçari do të kalonte te 13 herë kampionët e Champions League.