Në kuadër të projektit për lirimin e hapësirave publike, Komuna e Ferizajt ka nisur edhe një aksion tjetër për heqjen e panove reklamuese, tabelave për njoftime afariste dhe reklamacionet e ndryshme të vendosura nëpër shtylla dhe nëpër hapësira të tjera pa leje komunale.
Arben Halili, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, ka thënë se brenda një të ardhmeje të afërt do të pastrohen të gjitha hapësirat publike, madje do të largohen edhe panot reklamuese nëpër rrethe, sheshe, në hyrje –dalje të qytetit etj., të cilat nuk posedojnë leje nga komuna.
“Nëpërmjet një kompanie, në kuadër për lirimin e hapësirave publike, Komuna tashmë ka nisur largimin e të gjitha reklamave pa leje. Këtu përfshihen edhe pankartat dhe posterët e kandidatëve të ndryshëm të fushatës zgjedhore. Ndërkohë për shfrytëzimin e këtyre hapësirave publike të interesuarit duhet t’i drejtohen Komunës për t’i paguar ato varësisht nga sipërfaqja e kërkuar. Ndryshe, brenda një të ardhmeje të afërt do të pastrohet qyteti nga të gjitha panot reklamuese për të cilat kompanitë përkatëse nuk posedojnë leje nga Komuna”, ka thënë Halili.