Lavrov: BE dhe NATO e duan “Ballkanin e Mbyllur”

Prishtinë | 06 Qer 2022 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Ministri i punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, e akuzoi NATO-n se  qëndron pas vendimit të Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore për të mos e lejuar fluturimin e tij për Beograd.

Në një konferencë online për medie, pak orë pasi ambasadori rus, Alexander Bocan-Kharchenko e informoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për anulimin e vizitës së tij në Serbi, tha se kjo ishte e papritur.

“Ka ndodhur diçka e paimagjinueshme. Ky është një veprim shqetësues. Ka pasur një privim të shtetit sovran për të zbatuar të drejtat që ka. Është një demonstrim se sa larg mund të shkojnë NATO dhe BE në përdorimin e mjeteve dhe ndikimit më të ashpër kundër atyre që udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë dinjitetin e tyre për hir të këtyre rregullave të vendosura nga Perëndimi”, tha Lavrov.

Ai tha se Moska nuk i ka dëgjuar ende shpjegimet zyrtare të vendeve që refuzuan të lejonin fluturimin e avionit të delegacionit rus.

“E di që do të ketë shumë shpjegime që nuk i kemi dëgjuar ende. Vendet që refuzuan të lejojnë fluturimin e avionit rus do të thonë se u urdhëruan të anëtarësohen në BE dhe NATO. Ata nga ana e tyre do të thonë se ato vende kanë marrë vendime të pavarura vetë”, tha Lavrov.

Kryediplomati rus tha se askush nuk do të mund të prishë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë. Kësisoj, konfirmoi se homologu i tij serb, Nikola Selakoviq, është ftuar për të vizituar Moskën.

Ndërkohë, bëri me dije se në takimet në Beograd kishte në plan rikonfirmimin e qëndrimeve të Moskës karshi zhvillimeve në Ballkan.

“Ndër të tjera kam dashur që duke vizituar Serbinë të konfirmoj qëndrimin rus për Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Ballkanin e Hapur, por Brukseli nuk ka dashur ta lejojë këtë. Është e qartë se Brukseli, NATO-ja dhe BE-ja duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të Ballkanit të Mbyllur”, tha ai.

Të ngjashme