Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se nga helmimi i ish-agjentit rus, Sergei Skripal, përfiton Qeveria e Britanisë, duke tërhequr vëmendjen nga problemet rreth Brexit-it.
Skripal dhe vajza e tij Yulia janë helmuar në Sallsbëri të Anglisë më 4 mars.
Autoritetet britanike kanë fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor kundër Skripalit, por Moska i ka hedhur poshtë akuzat. Rasti ka bërë që Rusia dhe Perëndimi të dëbojnë disa diplomatë të njëri-tjetrit.
“Kjo mund të jetë në interes të Qeverisë britanike, e cila e gjen veten në situatë të papërshtatshme, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë premtimet për Brexit-in”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë.
Ai po ashtu tha se helmimi i Skripalit dhe i vajzës së tij “mund të jetë në interes të forcave speciale britanike”, të cilat, sipas tij, “janë të njohura për aftësitë e tyre për të vepruar me licencën për të vrarë”.