Lavrovit s’iu sos durimi: Përgjigjja iu vonua, kërkesa iu refuzua, rezistenca s’u shua

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Më 14 janar, ditë e premten, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë përdori gjuhë goxha të ashpër ndaj Perëndimit. Ai tha se vendit të tij i është sosur durimi me Perëndimin dhe se pret përgjigje për kërkesat ruse brenda një jave. Si duket, atdheu i Lavrovit ka më shumë durim se aq sa tha ai atë ditë dhe madje mund të presë pak më shumë se afati që vet e cakton.

Duke folur në konferencën vjetore për gazetarë, kryediplomati rus tha se, ministri rus tha se Kremlini nuk do të presë për kohë të pakufizuar që Perëndimi të përgjigjet ndaj kërkesave të Rusisë që NATO-ja të mos zgjerohet dhe të mos dërgojë forca në Ukrainë dhe në shtetet tjera ish-sovjetike.

“Na është harxhuar durimi. Perëndimi është udhëhequr nga arroganca dhe i ka përkeqësuar tensionet, duke i shkelur obligimet e veta dhe logjikën”, deklaroi njëri ndër ministrat më të njohur të Putinit të premten e dytë të janarit, duke shtuar se Rusia priste përgjgigje për kërkesat e saj brenda një jave.

Sidoqoftë, Rusisë nuk i erdhi përgjigjja deri të mërkurën e kësaj jave, gati dy javë pas deklaratës së Lavrovit, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se janë të përkushtuara në mbrojtjen e disa parimeve thelbësore, përfshirë të drejtën e shteteve për t’i zgjedhur vetë marrëveshjet dhe aleancat e tyre të sigurisë, sipas deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Të enjten, më 27 janar, Lavrovi dukej se, megjithatë, kishte ende durim – ai nuk i ishte sosur krejt. Kryediplomati rus, natyrisht, siç pritej, u shpreh i zhgënjyer.

“Nuk ka reagim pozitiv ndaj çështjes kryesore në këtë dokument. Çështja kryesore është pozicioni ynë i qartë për papranueshmërinë e zgjerimit të mëtejmë të NATO-s në lindje dhe dërgimin e armëve sulmuese, që do të mund ta kërcënonin territorin e Federatës Ruse”, tha ministri i vjetër i Putinit.

Kështu, për pak ditë, doli se Rusisë as nuk iu respektua afati i kërkuar për marrjen e përgjigjeve, as nuk iu plotësua njëra ndër kërkesat kryesore – garancia se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO. Perëndimi nuk u dorëzua para presionit rus me lëvizje taktike politike. Moska e la prapë të hapur mundësinë e bisedimeve, ashtu siç ka bërë thirrje ShBA-ja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme