Aventura e Etrit Berishës te Lazio duket se ka mbërritur në fund. Trajneri Simone Inzaghi nuk e ka ftuar fare në skuadër portierin e Kombëtare për ndeshjen ndaj Atalantas, e cila luhet sot.
Etrit Berisha, portieri i Kombëtares, është shumë pranë largimit nga Lazio pasi trajneri Simone Inzaghi, ndryshe nga sa i premtoi, nuk ka ndërmend ta aktivizojë si titullar as këtë sezon.
Në listën e futbollistëve të grumbulluar për takimin e javës së parë të Serisë A ndaj Atalantës, Berisha nuk është përfshirë, duke afruar më shumë largimin nga Lazio.
“Berisha nuk është grumbulluar sepse ka një problem fizik. Për mua zgjedhje e parë mbetet Federico Marchetti, portieri që kam aktivizuar titullar edhe në shtatë takimet e sezonit të shkuar”, ka thënë trajneri Inzaghi në konferencën për shtyp para takimit.
Berishës iu premtua në fillim të verës posti i titullarit këtë sezon dhe portieri hoqi dorë nga kërkesa e tij për t’u larguar drejt një ekipi tjetër, po situata ka ndryshuar sërish.