Lëvizja për Bashkim ka reaguar në lidhje me qeverisjen e ekzekutivit.
Kjo parti me këtë rast thekson se dialogu ka bllokuar çështjet me rëndësi për vendin:
“Bllokimi i dialogut “të vjetër” dhe mundësia e hapjes së një dialogu mbi baza të tjera i ka lënë nën hije të gjitha punët tjera të qeverisë e të institucioneve shtetërore. Kjo situatë më së shumti u ka konvenuar e po u konvenon atyre që janë mësuar me krim të organizuar, korrupsion, nepotizëm e dukuri të tjera të dëmshme për shtetin e qytetarët”.
LB shton: “Përplasjet publike rreth marrëveshjes me Serbinë kanë lënë në margjina çështje shumë të rëndësishme e vitale për shtetin e për jetën e qytetarëve: në veri të vendit katër kryetarët serbë kanë dhënë dorëheqje dhe shteti me mekanizmat e vet nuk po ka guxim t’i organizojë zgjedhjet e reja, duke krijuar kështu terren për vakum joinstitucional e kaos të vërtetë atje, raportet e shtetit me “Bechtel&Enka”, janë jotransparente dhe zakonisht në dëm të Kosovës, kontrata me “Contour Global” për “Kosovën e Re” konsiderohet si shumë e dëmshme e me pasoja afatgjata për Kosovën.
Ndër të tjera në komunikatën e Lëvizjes për Bashkim shkruan:
“ keqmenaxhimi i ndërmarrjeve publike dhe pronës publike si dhe i buxhetit dhe i rezervave të shtetit kalojnë pothuajse në heshtje e të mos flasim sesi po shfrytëzohet kjo situatë për punësimet partiake e familjare, me të cilët janë mbushur institucionet e ndërmarrjet publike. Çështje të tilla të cilat prekin interesin e qytetarëve dhe e dëmtojnë jetën e tyre të përditshme ka shumë, ndërsa reagimi i publikut dhe debati publik është shumë i vogël, e kjo për shkak se krejt vëmendjen e publikut po e zë problematika me Serbinë”, përcjellë Klan Kosova.
Sipas kësaj partie
“Stërzgjatja e sabotimi i zgjidhjes së problemeve me Serbinë, të përcjella me retorika patriotike e populiste janë parajsë e vërtetë për keqqeverisjen, krimin e organizuar e korrupsionin, por po i kushtojnë e do t’i kushtojnë shumë Kosovës e qytetarëve të saj”.
Prandaj, të gjitha institucionet shtetërore, të gjitha partitë politike e madje edhe intelektualët e shoqëria civile duhet t’i shtojnë përpjekjet në drejtim të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, si parakusht i kthimit të vëmendjes tek cilësia e qeverisjes, ekonomia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e tek jeta më e mirë të qytetarëve.