LB: Kosova e papërgatitur për bisedime

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 19:57 | Nga

Lëvizja për Bashkim (LB) thotë se Kosova nuk mundi të arrijë një konsensus për një platformë të bisedimeve me Serbinë

Ky subjekt politik, nëpërmes një komunikate për shtyp, thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën zhvilloi një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, në Kosovë, katër herë me radhë është mbajtur tryeza e partive politike, njëri nga synimet e të cilave, vazhdimisht ka qenë arritja e një konsensusi për një platformë të bisedimeve me Serbinë.

“Presidenti e vazhdon procesin e bisedimeve kurse tryeza vazhdon të mos prodhojë rezultate. Madje, as pas takimit të fundit ku Lëvizja për Bashkim ua dorëzoi të gjitha partive pjesëmarrëse platformën e saj, si pikënisje për një konsensus të domosdoshëm kombëtar lidhur me përfundimin e çështjeve të hapura shqiptaro serbe”.

“Deri më sot, përfaqësuesit e Kosovës kanë zhvilluar shumë bisedime me ata të Serbisë. Ata kanë arritur të bëjnë marrëveshje për shumë çështje por nuk kanë arritur të bëjnë zgjidhje për asnjërën prej tyre. Kjo është për një arsye krejt të thjeshtë”.

“Për fat të keq, përfaqësuesit e Kosovës, asnjëherë, bisedimet nuk i kanë konsideruar si një mundësi për zgjidhjen e problemeve reale që ka vendi ynë, por vetëm si detyrim nga faktori ndërkombëtar dhe si mjet për arritjen e qëllimeve anësore. Kjo është edhe arsyeja pse Kosova, edhe pse po hynë në fazën “finale” të bisedimeve, ende nuk ka arritur të ketë një platformë për to. Për këtë situatë fajtorë janë të gjitha partitë që sot janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, si nga pozita ashtu edhe nga opozita”, theksohet në reagimin e partisë që udhhiqet nga Valon Murati.

“Ne vazhdojmë të insistojmë që pa platformë nuk duhet të ketë bisedime. Lëvizja për Bashkim, të gjitha forcave politike, që nga viti 2010, ia ka ofruar propozimin e saj për këtë platformë. Prandaj, edhe në këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithëve që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje, përndryshe, përgjegjësisë për pasojat e këtyre bisedimeve nuk do të mund t’i ikë askush”, përfundon komunikata e Lëvizjes për Bashkim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme