Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm, të mbajtur më 28.12.2018, pas analizës së gjithanshme të situatës politike, e sidomos pas analizës së rrethanave ndërkombëtare dhe mundësisë së përfshirjes së aktorëve kryesorë në arritjen e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht të SHBA-ve, Lëvizja për Bashkim e konsideron të domosdoshëm unitetin e forcave politike shqiptare në Kosovë, me orientim të drejtë e të guximshëm, në mënyrë që të shfrytëzohen këto rrethana për t’i zgjidhur problemet me Serbinë.
Përmes një njoftimi për media, Lëvizja për Bashkim konsideron se për shkak të ripozicionimit të faktorëve kryesorë ndërkombëtarë të implikuar në raportet Kosovë-Serbi, Kosova duhet që tani e tutje t’i ketë dy opsione në platformën e saj negociuese.
“E para, LB vlerëson se për Kosovën ripërcaktimi i kufijve duhet të jetë opsioni i parë për zgjidhjen e problemeve të mbetura me Serbinë. Ripërcaktimi i kufijve nënkupton edhe rënien e kufizimeve që Kushtetuta e Kosovës i ka si produkt i Pakos së Ahtisaarit, përkatësisht heqjen e privilegjeve bllokuese që u janë dhënë pakicës serbedhe, rrjedhimisht, funksionalizimine plotë të shtetit të Kosovës dhe hapjen e mundësive për bashkim me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim. “E dyta, LB në këto rrethana konsideron se Kosova si opsion rezervë apo Plan B duhet ta ketë reciprocitetin e plotë në raportet Kosovë-Serbi”.
Çka do të thotë kjo, sipas Lëvizjes për Bashkim.
“Kjo do të thotë se në raste të dështimit të opsionit të parë, pra, në rast të pamundësisë së arritjes së një marrëveshjeje për ripërcaktim të kufijve, nuk duhet të ketë më kthim prapa tek Pakoja e Ahtisarit, përkatësisht tek privilegjet bllokuese për pakicën serbe e që reflektohet përmes pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, si dhe të një sërë ligjesh nga ato që konsiderohen vitale pa votën e kësaj pakice, e deri tek asociacioni e marrëveshjet e tjera të njëanshme e të dëmshme për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, sipas LB-së, nëse Serbia kërkon zbatimin e tyre, atëherë duhet që edhe ajo t’i zbatojë të njëjtat të drejta për shqiptarët në Serbi në tërësi, e në veçanti për ata të Kosovës Lindore, përkatësisht për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
“Ky reciprocitet duhet të shkojë deri tek vendet e garantuara për shqiptarët dhe fuqitë e njëjta juridike të parapara në Kushtetutën serbe, si ato të parapara në atë të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.