Lëvizja për Bashkim ka reaguar pas vizitës së djeshme të kryeministrit Ramush Haradinaj në ndërmarrjen Trepça në Mitrovicë.
Ky subjekt politik ka kërkuar që gjiganti metalurgjik të lihet siç kanë thënë “jashtë pazareve politike”.
“Dje Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Haradinaj, i bëri vizitë Ndërmarrjes “Trepça” dhe në bisedë me menaxhmentin dhe punëtorët u shtruan për diskutim disa nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Duke qenë se Ndërmarrja “Trepça” është nga çështjet që nuk e kanë pasur trajtimin e duhur institucional, është inkurajuese vizita e kryeministrit dhe temat që ai i hapi për zgjidhje”.
“Kryeministrit ia rikujtojmë edhe njëherë se me Ligjin për Trepçën u hoqën pengesat juridike që ndikuan në moszhvillimin e kësaj ndërmarrjeje. Por kjo nuk mjafton. Fatkeqësisht, përkundër ngulmimit të vazhdueshëm të Lëvizjes për Bashkim, Qeveria e kaluar nuk e bëri asnjë hap konkret në jetësimin e Ligjit për Trepçën. Neglizhenca, mungesa e guximit dhe pazaret e partive politike rreth emërimeve në bord janë shkaktarët kryesorë që Ligji për Trepçën tash e një vit të mos jetësohet.”
“Që të nxirret “Trepça” nga agonia, në të cilën ndodhet qe pothuajse tri dekada, që “Trepça” të bëhet vërtet njëra prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të Kosovës, Qeveria Haradinaj duhet që menjëherë t’i ndërmarrë masat për jetësim të Ligjit për Trepçën. Hapat e parë të domosdoshëm për rigjallërim të Trepçës janë emërimi i Bordit Mbikëqyrës, si dhe regjistrimi i ndërmarrjes së re, si Shoqëri Aksionare, në regjistrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht të Agjencisë për Regjistrim të Biznesit në Kosovë”, thuhet në një kumtesë të këtij subjekti politik,