Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti, e ka mbyllur ditën e shtatë të fushatës zgjedhore në Loxhë të Pejë, që është vendlindja e kolegut të tij në Qeveri, Kujtim Shala.
Hoti ka thënë se LDK-AKR-Alternativa e kanë një program të qartë dhe një listë të jashtëzakonshme. Ai i ka ftuar pejanët t’i votojnë “jo pse duam të marrim pushtet, por kjo është vendimtare për të ardhmen e vendit”.
Ai ka kërkuar angazhime të shtuar edhe këto pak ditë sa kanë mbetur deri më 11 qershor, “në mënyrë që LDK-ja të fitojë në Loxhë, sikur e ka fituar Pejën në vitin 2013”.
E Kujtim Shala, emri i të cilit është brohoritur gjatë, iu ka folur ish-bashkëfshatarëve të tij për një preokupim të tyre – çështjen e veteranëve të luftës. Shala ka thënë se kur është luftuar, askush nuk e ka pyetur askënd për përkatësinë partiake.
Ai i ka garantuar se askush nuk mund t’i largojë prej listave të veteranëve vetë pse gjatë luftës kanë qenë të rreshtuar në FARK. “Atë punë e kemi zgjedhur ne, dmth Qeveria”, deklaroi Shala.
“Asnjë veteran nuk do të largohet kurrë nga lista nëse ka luftuar… Janë 64 mijë veteranë, buxhetin për pensionet e të cilëve i ka siguruar Avdullah Hoti”.
Agim Bahtiri i AKR-së ka numëruar me radhë qytetet ku ai beson se do të fitojë bindshëm LDK-AKR, mes të cilave ka përmendur Pejën, Mitrovicën e tij, Prishtinën, Prizrenin e një varg qytetesh të tjera.
Kurse, biznesmeni i njohur pejan, Ramiz Kelmendi, i cili së fundi kaloi në LDK, ka folur për disa nga planet për punësimin e 25 mijë të rinjve në praktikë, për çka tha se do të investohen rreth 30 milionë euro.
Besa Gaxheri, po ashtu, ftoi për mobilizim më 11 qershor. “Fitoren e kërkon Kosova dhe e vetmja alternativë është ky koalicion me në krye Avdullah Hotin”, u shpreh ish-deputetja, e cila kërkon dhe një mandat.