Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po keqqeveris Komunën e Prishtinës dhe tregues për këtë është dhe mosshpenzimi i 22 milionë eurove të parapara për investime në kryeqytet. Për të maskuar dështimet, Ahmeti është angazhuar në dialog me Serbinë.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me angazhimin e Ahmetit në dialog u mjegullua roli i qeverisjes së kryetarit të Komunës. Por, kjo paraqet edhe shkelje ligjore, raporton Ekonomia Online.
Arban Abrashi, bashkë me grupin e asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, në një konferencë shtypi thanë se mosshpenzimi i buxhetit, tregon një dështim të qeverisjes komunale në kryeqytet.
“Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk ofrojnë shërbime gjatë festave dhe vikendeve sepse kanë të bëjnë me aftësi menaxheriale. Ndërtimet pa leje janë problem tjetër, për çka janë janë ankuar edhe vetë banorët. Rritja e numrit të drejtorive ishte një vendim i keq politik”, tha Abrashi.
Ai shtoi se përfshirja e Ahmetit në ekipin negociator është një maskim i dështimeve me qeverisjen e Komunës së Prishtinës.
“Maskimi më i madh i dështimeve është bërë me angazhimin e kryetarit të komunës në dialogun me Serbinë. Me këtë u mjegullua roli i qeverisjes së kryetarit. Angazhimi i kryetarit këtu paraqet edhe shkelje ligjore”, tha Abrashi.
“Këto janë vetëm disa prej dështimeve dhe kulmi i kësaj është mbetja e 22 milionë eurove të pashpenzuara në Komunën e Prishtinës”, shtoi ai.
Ish-kandidati për të parin e Prishtinës, akuzoi Ahmetin edhe për manipulim me votat për të qeverisur kryeqytetin.
“Koha i ka ardhur edhe më herët Lidhjes Demokratike për qeverisje lokale, por Shpend Ahmeti ka manipuluar me votat në tavolinë. Pasi që shumica e votave për qeverisje loke kanë qenë për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Abrashi.