Lidhja Demokratike e Kosovës ka kuptuar nga mediet vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me kërkesën për rinumërim të votave në Prishtinë.
Në komunikatën për medie thuhet se LDK është e vendosur në ndjekjen e ligjit dhe zbardhjen e të vërtetës në kutitë e votimit.
“Ne jemi duke shqyrtuar hapat që do të ndjekim më tej për të zbardhur të vërtetën në kutitë e votimit. Jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të realizuar të drejtën tonë.”
“Askush nuk duhet të ketë frikë nga rinumërimi i votave. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë të dinë të vërtetën në mënyrë që në katër vitet e ardhshme të udhëhiqen nga një kryetar legjitim dhe të pakontestuar nga askush.”
“Lidhja Demokratike e Kosovës i fton të gjitha palët e përfshira në menaxhimin e procesit zgjedhor të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë një proces transparent, të besueshëm dhe të pa kontestueshëm.”, thuhet në komunikatë.