LDK e kujton veprimtarin e saj, Fehmi Agani: Vrasja e tij, hakmarrje ndaj lëvizjes tonë politike, ishte boshti intelektual i Kosovës

Prishtinë | 06 Maj 2024 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës pashmangshëm e kujton sot, në 25-vjetorin e vrasjes, Fehmi Aganin, nënkryetarin e partisë më të vjetër në vend.

LDK-ja thotë se vrasja e Aganit ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes politike për liri e pavarësi.


“Më 6 maj të vitit 1999, pa pritur agun e lirisë, forcat policore e ushtarake serbe, shuan nga jeta intelektualin e rrallë, politologun, atdhetarin e madh të Kosovës, e nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani. Si shkrimtar, gazetar, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, Prof. Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë në fund të shekullit kaluar. Vrasja e tij ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes tonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të Kosovës”, thuhet në një postim në faqen e LDK-së në Facebook.

“Profesor Agani, dha kontribut të çmuar në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave të Universitetit të Prishtinës, të cilët më vonë ishin dhe prijës të lëvizjes për liri e pavarësi. Fehmi Agani ishte njeriu i urtë e fjalëpak, që gjithë karrierën e tij akademike ia kishte përkushtuar jo vetëm arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë, por mbi të gjitha ligjëratat e tij synimin kryesor kishin brumosjen atdhetare e patriotike për t’i rezistuar armikut, deri në liri dhe çlirim”, thuhet tutje në postim.

LDK kujton gjithashtu se “Agani, ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike, krah i djathtë i Presidentit Rugova dhe nënkryetar i LDK-së”.

Të ngjashme