Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka lëshuar sallën e Kuvendit në mënyrë demonstrative pasi nuk u votua mocioni i propozuar nga ta, raporton Ekonomia Online.
Avdullah Hoti, shef i grupit, ka kërkuar të mos të votohet bordi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pa raportuar ministri i Arsimit, Shqyri Bytyçi lidhur me shkarkimin e ish-bordit.
Sipas tij, në ligj thuhet se nëse brenda një viti më shumë se një e treta anëtarëve të bordit zëvendësohet për çfarëdo arsye, ministri duhet të raportojë dhe kjo nuk ka ndodhur.
“Mendoj se situata është e qartë se është shkelur neni 7 paragrafi 5 i ligjit për arsimin e lartë që parasheh që nëse me shumë se 1/3 e anëtarëve të bordit ndërrohet për çfarëdo arsye brenda një viti atëherë ministri duhet të raportoj Kuvendit, kjo gjë nuk ka ndodhur”.
“Prandaj nuk mund të procedojmë me pikën 12 për të zgjedhur bordin e këtij këshilli përpara se ministri të raportoj në Kuvend për arsyet e shkarkimit. Prandaj ne kërkojmë që pika 12 të hiqet nga rendi i ditës i seancës së sotme”, tha Hoti.
Kryesuesi Xhavit Halit ka hedhur në votim, por nuk u votua për shkak të mungesës së kuorumit.