LDK e Prishtinës kritikon Ahmetin për mospastrimin e rrugëve nga bora

Prishtinë | 06 Jan 2017 | 12:01 | Nga

Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, kritikon kryetarin Shpend Ahmetin për siç thotë, “mos pastrimin e rrugëve nga bora”.

LDK e Prishtinës përmes një komunikate për media thotë se premtimet e Shpend Ahmetit po mbesin vetëm në letër, dhe se edhe kësaj qeverie komunale po i mungon shkopi magjik për të zgjidhur problemet ditore dhe të përhershme me të cilat ballafaqohet komuna.

Andaj, LDK u bën thirrje qytetarëve të Komunës së Prishtinës që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm në pastrimin e borës para shtëpive të tyre, të angazhohen në pastrimin e rrugëve nëpër lagjet e tyre në mënyrë që të mundësohet qarkullimi normal i këmbësorëve dhe makinave qarkulluese.

Kjo është komunikata e plotë e Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës:

Mëngjesi i datës 6 janar e zuri Komunën e Prishtinës me 60% e rrugëve të bllokuara – të pa pastruara. Veçanërisht rrugët rurale në zonat e thella janë të bllokura nga orteqet dhe sasia e borës e makineritë e ndërmarrjeve të kontraktura nga Komuna po lëvizin shumë ngadalë.

Po ashtu, asnjë metër gjatësi trotuar nuk u pastrua dhe kjo dëshmon se retorika e premtimeve të dikurshme të Kryetarit të sotëm të Komunës së Prishtinës ishte vetëm për konsum politik, sa për të marrë votat që i nevojiteshin, sepse po shihet se ato premtime nuk po realizohen fare dhe se edhe kësaj qeverie komunale po i mungon shkopi magjik për të zgjidhur problemet ditore dhe të përhershme me të cilat ballafaqohet komuna.
Sipas standardeve për pastrimin e borës kompanitë duhet të punojnë non-stop gjatë tërë natës nën mbikëqyrjen e stafit komunal dhe mbikëqyrjes komunale, por kjo nuk po ndodh!?

Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, kërkon nga qytetarët e Komunës së Prishtinës që të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm në pastrimin e borës para shtëpive të tyre, të angazhohen në pastrimin e rrugëve nëpër lagjet e tyre në mënyrë që të mundësohet qarkullimi normal i këmbësorëve dhe makinave qarkulluese. Po ashtu, kërkon nga qytetarët që të pajisen me pajisjet e nevojshme për qarkullim në komunikacion, pasi që kushtet e lëvizjes janë të tilla dhe me këtë komuna nuk po luan rolin e vet për krijimin e kushteve, për lirin dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë situatë gati emergjente.

Të ngjashme