Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, dhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, i kanë shkruar një letër përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, dhe komisionerit Johannes Hahn, në lidhje me zhvillimet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në letrën e cila i është dorëzuar Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, theksohet se LDK e VV kanë ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet e fundit dhe komunikimin zyrtar dhe publik të Mogherinit dhe Hahnit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
“Ju lutemi të keni parasysh se ne përfaqësojmë dy partitë më të mëdha Opozitare në Parlamentin e Republikës së Kosovës, me 44 deputetë. Fuqia jonë e votës, bazuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, në qershor të vitit 2017, përbën mbi 50 për qind të votave të përgjithshme të elektoratit. Kjo mbështetje masive e qytetarëve për dy partitë tona politike është rikonfirmuar vazhdimisht, dhe është në rritje e sipër, sipas një sërë sondazhesh të opinionit publik që janë zhvilluar gjatë këtij viti”, theksohet më tutje në letër.