Kolegjiumi i Pesë Degëve të LDK-së në Prishtinë kërkon që familjet e dëbuara nga blloku banesor në “Dardani” të strehohen në banesat kolektive të ndërtuar në Hajvali.
Sipas LDK-së, këto banesa të ndërtuara në kohën kur kryetar i Komunës ishte Isa Mustafa qe tri vite nuk po ndahen nga ana e Komunës së Prishtinës, megjithëse ishin destinuar për familjet me pozitë të keqe sociale dhe për kategoritë e luftës.
“Qe tri vite ato banesa janë të gatshme për banim, por janë duke u mbajtur peng nga kryetari i tanishëm, Shpend Ahmeti dhe partia e tij Vetëvendosja”, thuhet në një komunikatë të këtyre degëve.
“Në prononcimin e mbrëmshëm të Shpend Ahmetit në lidhje me banorët e dëbuar nga banesat në Dardani, se kinse nuk është në kompetenca të Komunës që ata banorëve t’iu bënë ndonjë zgjedhje për të ngelur në ato banesa së paku përkohësisht, ai as që përmend faktin se ka në dispozicion 80 banesa në Hajvali qe tri vite, por i ka lan ato duke i ndenjur kot ato banesa”.
“Edhe gratë dhe fëmijët protestuan te shtëpia e Shpend Ahmetit, por ai prapë se prapë nuk deshi të bëjë së paku ndonjë zgjedhje të përkohshme për këta hallexhinj që mbeten pa kulm mbi kokë dhe që fshehu faktin se ka në dispozicion banesa fare të reja”, vazhdon më tutje komunikata.
Më tutje, në komunikatë shpjegohet se në Hajvali janë dy ndërtesa me më se 80 apartamente. “Këto banesa janë të gatshme për banim qe tri vite. Por, Shpend Ahmeti dhe stafi i tij i drejtorëve nuk kanë treguar asnjëherë gatishmëri për t’ua ndarë ato banesa familjeve pa strehë, që në Kosovë janë të shumta”.
“Komunës së Prishtinës nuk i ra ndërmend dhe as që deshi, as kësaj radhe, ku banorët e dëbuar nga banesat e Dardanisë, të kujtohet dhe t’i akomodojë këta banorë që tani kanë mbetur në pikë të hallit pa kulm mbi kokë, bile t’i strehojë së paku përkohësisht”, vazhdon komunikata, e cila përshkohet me një gjuhë populiste e patetike.
“Qëllimi i Shpend Ahmetit dhe partisë së tij është që, këto banesa t’i konvertojë në vota dhe vetëm atëherë kur të fillojë fushata e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen në vjeshtë të vitit të ardhshëm, t’i ndajë ato për klienturën të cilën është duke u munduar ta krijojë VV nëpërmes këtyre marifeteve e jo që të brengoset për hallet e qytetarëve të sajë edhe kur ato kanë probleme… Por, VV dhe Shpend Ahmeti me stafin e saj vetëm trumbetojnë fjalor koti nëpër media, por jo edhe punë dhe angazhim të cilët kanë obligim karshi qytetarëve të Prishtinës për mirëqenien e tyre si dhe ndaj mandatit që kanë për t’iu ofruar qytetarëve mirëqenie si dhe në këtë rastin e fundit strehë qytetarëve të pa strehë të Dardanisë”.
LDK e Prishtinës kërkon që në mënyrë urgjente ta shqyrtojë çështjen e 80 banesave në Hajvali dhe t’i ndajë ato në mënyrën më të mirë për qytetarët e kategorive të destinuara të Prishtinës, apo ti së paku t’i strehojë përkohësisht banorët e dëbuar nga banesat e Dardanisë derisa atyre t’iu bëhet ndonjë zgjidhje e duhur.