LDK i refuzon ftesën, Abdixhiku i kërkon Presidentes me një letër që të pozicionohet kundër Kurtit

Prishtinë | 22 Qer 2023 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse kreu i LDK-së e ka refuzuar ftesën e presidentes Osmani për një takim konsultativ, ai i ka dërguar një letër asaj duke i kërkuar t’i dalë kundër “qasjes së papërgjegjëshme” të Kurtit.

Ndër të tjera ai shkruan: “Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoodinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”. 

Abdixhiku informon presidenten se shqetësimet e adresuara në Kuvendin e Kosovës “nuk kanë gjetur as mirëkuptimin më të vogël nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

Në letër thuhet tutje se kjo parti s’mund ta pranojë e as tolerojë përplasjen e Kosovës me aleatët e saj. “Për më tepër, LDK-ja nuk mund të jetë pjesë e asnjë diskutimi mbi këtë çështje”.

Partia e dytë opozitare ka kërkuar që të ketë pozicionim të qartë kritik kundër (sic) popullizmit të Kryeministrit Albin Kurti.

“Në këtë ballafaqim, pozicioni i Presidentes është jetim; konform historisë sonë të lavdishme, konform zotimeve kushtetuese të pashkelshme, konform bindjeve të vet popullit të Kosovës”, thuhet tutje.

Abdixhiku ka shprehur gatishmërinë që të takohet me presidenten në një rast tjetër por vetëm artikulohet qartë e publikisht përkrahja e asipiratës euroatlantike të institucioneve të Kosovës dhe “refuzimin e politikave përplasëse e izoluese të Qeverisë së Kosovës”.

Ftesën e Presidentes Osmani e ka refuzuar pak më herët edhe kreu i PDK-së, z. Lumir Abdixhiku.

Presidentja Osmani ka shprehur vazhdimisht rëndësinë e raporteve të mira të Kosovës me partnerët e saj të mëdhenj ndërkombëtarë, por deri tash nuk ka arritur që të formulojë kritika ndaj Qeverisë Kurti për dëmtimin e këtyre raporteve.

Edhe BE por edhe ShBA në mënyrë të qartë kanë theksuar se do të ketë masa ndëshkuese në rast se vazhdon ky kurs veprimesh nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme