Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në një konferencë të thirrur për medie, ka njoftuar se ka dorëzuar sot në Gjykatën Supreme ankesë ndaj Panelit të Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas anulim të votave të diasporës për kryetar të Dragashit.
Anulimi i votave të diasporës, shumica prej të cilave ishin për kandidatin e LDK-së, Behxhet Xheladini, bënë që fitues të jetë kandidati i PDK-së në këtë komunë.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se LDK-ja ka dorëzuar mbi 200 dëshmi në Gjykatën Supreme të votuesve të Dragashit, raporton Ekonomia Online.
“KQZ-ja ka shpallur rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve. Mirëpo nga rezultatet nuk figuron komuna e Dragashit Andaj LDK ka dërguar ankesë në gjykatë të PZAP-së. Dje në një vendim tre gjyqtarë të PZAP kanë anuluar votat e mërgatës pa verifikuar të vërtetën në Dragash. Provimi i anulimit është përpjekja antidemorkatike. LDK ka dorëzuar mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit në mërgatë dhe gjithë dosjen e argumenteve. LDK-ja beson se sistemi gjyqësor mbron dhe vullneti i çdo qytetari do të mbrohet me dinjitet. Qytetarët e Dragashit të mbesin të qetë”.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, tha se PZAP-ja ia mori fitoren në tavolinë, duke anuluar votat e diasporës të cilat ishin shumica për të.
Xheladini e konsideron vendimin e PZAP skandaloz, duke shtuar se brenda 72 orëve nga Gjykata Supreme do të dalë e vërteta dhe do të shpallet kryetar i Dragashit.
“Kemi përgatitur ankesën që e kemi dorëzuar në Gjykatën Supreme, që vjen pas vendimit të PZAP-së për anulimin e votave nga diaspora. Kësaj ankese ia kemi bashkangjitur 200 dëshmi. Ne kemi përgatitur një dosje që kemi dëshmuar se vendimi i PZAP-së ka qenë skandaloz dhe s’ka qenë i drejtë”.
“Mua më është marrë fitorja në tavolinë. Presim që Supremja brenda 72 orëve të më shpallë mua kryetar të Dragashit”.