LDK-ja dhe VV-ja, ia hedhin topin njëra tjetrës, qytetarët e Kosovës që 98 ditë në pritje

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

98 ditë të plota i kishin kohë LDK dhe VV për të finalizuar marrëveshjen e tyre dhe të formojnë Qeverinë e re të vendit, por një gjë e tillë nuk ndodhi deri sot. Dhjetëra takime u zhvilluan mes dy partive që prej 6 tetorit, mirëpo vendi ende mbetet pa institucionet e reja ndërsa këto vetëm po ia hedhin topin njëra-tjetrës

Gjatë ditës së djeshme lideri i VV’së, Albin Kurti, përmes një komnikate për media konfirmoi se i ka bërë një propozim të ri LDK’së së Isa Mustafës dhe se tani vetëm po pret vendimin e tyre.

“Në takimin e mbajtur të mërkuren, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje Vetëvendosje! kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, tha Kurti.

Në anën tjetër LDK, po kërkon që VV të gjejë një zgjidhje sa më të përshtatshme për themelimin e instutcioneve, pasi që sipas tyre, si parti e parë u takon të merren me situatën e krijuar.

Kështu tha pak më parë anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti, i cili po ashtu shtoi se ‘tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja. Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Fjalët e tij vetëm pak orë më vonë  i konfirmoi edhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili pas një takimi të mbajtur me Ambasadorin Amerikan, Philip Kosnett, shkurt u shpreh se ‘VV-ja duhet të gjejë zgjidhje e jo ne’.

Kujtojmë se Presidenti i vendit Hashim Thaçi vazhdimisht ka bërë thirrje që Kurti të gjejë një zgjidhje sa më parë dhe ta formojë Qeverinë, teksa ky i fundit e ka akuzuar për ‘kërcënim dhe presion’.

Sa i përket kësaj çështje, nga burime të afërta me Presidencën konfirmohet se Zyra e Presidentit tashmë ka filluar përgatitjen e materialit, përkatësisht pyetjeve adekuate për ta adresuar këtë çështje për trajtim nga Gjykata Kushtetuese, raporton indeksonline.

Këtë informacion e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i Presidencës në kushte të anonimitetit. Sipas këtij zyrtari, bëhet fjalë për dy çështje thelbësore apo pyetje të cilat pritet t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme