Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një prononcim për media ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e caktuar për në orën 9, në të cilën pritej që ta marrë mbështetjen ekipi negociator i propozuar nga qeveria për Dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne sapo kryem mbledhjen e grupit parlamentar dhe pas të gjitha konsultimeve që bëmë me partitë e tjera opozitare vendosëm që nuk do të marrim pjesë në këtë seancë, sepse kjo është tentativë për ta prishur seancën e orës 10”.
“Janë bërë grupacione për të hyrë në pazare për territor. Ne do te paraqitemi në seancën e orës 10. Nuk ka pasur asnjë urgjencë që kjo seancë të mbahet sot”.
Hoti tha se janë duke punuar me grupet e tjera opozitare për bashkëpunim, raporton Ekonomia Online.
“Kosova është nga prilli në krizë institucionale me një qeveri që nuk ka mundësi të shtyejë përpara agjendën politike. Ne jemi duke punu me grupet e tjera opozitare për të bashkëpunuar”.
Hoti bëri të ditur se as grupi parlamentar i Vetëvendosjes nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 9, raporton EO.
“Qëndrimi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes është se ata nuk do të marrin pjesë në këtë seancë. Janë 58 vota dhe kemi pasë deklaratë të Nismës dhe AAK-së”, shtoi Hoti.