Ish deputeti i LDK-së, profesori i Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi ka thënë në një intervistë për EkonomiaOnline, se arsyet që ai nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputet janë mos votimi i Hashim Thaçit për president, por edhe kundërshtimi i demarkacionit.
“Kanë qenë dy vendime të cilat në një far forme nuk jam pajtuar. Çështja e votimit të Hashim Thaçit për president të cilin nuk e kam votuar dhe çështja tjetër që ka qenë puroprofesionale, çështja e demarkacionit e cila është politizuar pa nevojë nga ata të cilët nuk kanë pasur fare kompetencë të flasin në këtë fushë dhe sipas të gjitha gjasave këto të dyja kanë qenë ato qëndrimet e mija të cilat i kam pasur rreth tyre dhe ato kanë qenë arsyeja e penalizimit tim”, ka thënë ai.
Për mos përfshirjen e tij në listën e kandidatëve të LDK-së për deputet Bulliqi ka marrë në arsyetim interesant nga strukturat e partisë.
“Demarkacioni do të jetë çështja kryesore që LDK do të merret në mandatin e ardhshëm dhe pasi që unë kam qenë kundërshtues i këtij procesi kanë vendosur që të më kursejnë kështu të paktën më është thënë nga partia”, ka sqaruar Bulliqi.
Bulliqi ka qenë kundër versionit aktual të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndonëse mbeti jashtë listës aktivitetin e tij politik ai do ta vazhdojë në LDK edhe pse ka marrë oferta edhe nga partitë opozitare.