LDK-ja e quan akt të ulët sulmin ndaj Hotit

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë deri sa ishte afër ndërtesës së qeverisë.

Videoja, në të cilën shihet një person, duke hedhur vezë në drejtim të zv.kryeministrit të Qeverisë së Kosovës është përhapur sot.

Personi, zëri i të cilit dëgjohet në këtë xhirim, thotë se “Taksën duhet më e heqë”.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Në reagim thuhet se sulmi i sotëm ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, është një akt i ulët, i papranueshëm dhe i dëmshëm për proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon vendi.

“Është i papranueshëm kthimi i shoqërisë sonë në sulme të këtilla, njësoj si në vitet 2015-2016, me qëllim stagnimin dhe bllokimin e proceseve shtetformuese që i kemi ndërtuar në partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politikbërje dhe udhëheqje të vendit”, thuhet në reagim.

Të ngjashme